7nëntor 2015 – Ndalohet peshkimi në Adriatik derisa të dalin rezultatet e analizave të ujit të ndotur ditën e sotme nga hidrokarburet. Ministria e Bujqësisë, nëpërmjet kreut të saj, Edmond Panariti urdhëroi bllokimin e aktivitetit të peshkimit. Sipas këtij urdhri deri në përfundim të analizave nuk do të lejohet peshkimi në zonën e ndotur. Nga ana tjetër, Ministri Panariti gjithashtu ka urdhëruar Autoritetin Kombëtar të Ushqimit të analizojë mostrat e peshqve dhe molusqeve. “Të merren mostra të peshqve dhe molusqeve në zonën e ndotur për analiza”, ka urdhëruar Panariti.

Ministri i Panariti në një lidhje telefonike për News24 tha se situata e krijuar nga ndotja në Durrës është shumë e rëndë. Ai deklaroi se ka urdhëruar pezullimin e peshkimit në një sipërfaqe rreth 5 km linearë dhe se ndërkohë mostra të peshqve dhe molusqeve po i nënshtrohen analizave. Ndërkohë Panariti parashtroi edhe dy mundësi për heqjen e karburantit nga uji, siç janë përdorimi i tamponëve apo përdorimi i tretësve organikë për zbërthimin e naftës.

“Urdhërova pezullimin e peshkimit. Kërkova të merren mostra nga gjallesat. Ndotja në bregdet është shumë e rëndë. Mund të ketë masa të ndryshme për kufizimin e vendit të ndotjes. Mund të vendosen copa sfungjeri për heqjen e naftës. Duhet parë më kujdes edhe për përdorimin e ndonjë tretësi organik për të zbërthyer naftën. Jam i sigurt që organet përkatëse të Ministrisë së Mjedisit po i shikojnë të gjitha këto opsione. Kryesorja të identifikohet burimi i ndotjes dhe të vihet para përgjegjësisë penale ndotësi”, deklaroi Panariti.

Aktualisht ka përfunduar dhe verifikimi mbi dy anijet që janë në radë. Por, nga të dhënat e para nuk rezulton që nafta të jetë derdhur prej tyre. Hetimet po vazhdojnë për shkaktarët e ndotjes masive në zonën nga “Iliria” deri në Agip.

/portali DurresLajm/