Entuziazmi 10-vjeçar i zbulimit të naftës në Shpirag arriti kulmin ditët e fundit, kur kryeministri Edi Rama njoftoi se shpimi në Shpirag, ka arritur në 6002 metra në thellësi të tokës, duke prekur një rezervë të madhe nafte.
“Rezerva është aty, në 6002 metra në thellësi të tokës. Është prekur rezerva pas një eksplorimi shumë të vështirë dhe një investimi masiv të bërë për shkak të thyerjes së përsëritur të sondave, si rezultat i formacionit gjeologjik.
Ende nuk është cekur uji, që është nën rezervën, çka prezumon që madhësia e rezervës mund të jetë edhe më e madhe. Nuk flasim dot për shifra konkrete.
Informacionet në këtë fazë janë jo vetën konfidenciale, por pa marrë rezultatin e testit final që përcakton nëse nxjerrja e kësaj pasurie është e arsyeshme nga pikëpamja financiare”, tha kryeministri.
Rama paralajmëroi përfitimet të mëdha për vendin dhe krijimin e një fondi sovran, fond investimesh që një pjesë e të ardhurave i vendos për të shumëfishuar në tregun ndërkombëtar.
Por, sa duhet të gëzohemi dhe sa të shpejta do të jenë përfitimet, nëse realisht do të zbulohen rezerva të mëdha naftë në Shpirag.
“Monitor” bisedoi me një inxhinier me përvojë në fushën e naftës, i cili shpjegoi me hollësi si funksionon procesi, sa leverdi ka nxjerrja e naftës nga një terren i vështirë, sa mund të jenë përfitimet dhe kur mund të merren ato.
A ka naftë?!
Ekspertët shpjegojnë se nga pikëpamja inxhinierike, Berati është një burim kompleks dhe i hulumtuar më parë, që në kohën e komunizmit, Janë bërë eksperimente dhe studime sizmike dhe vlerësohet se ka naftë, e cila është e pastër, po ka kosto të lartë nxjerrje.
Por, ende nuk dihet se sa është potenciali real i rezervave dhe prodhimit të naftës në Shpirag, pasi vetëm kur të kalohet në fazën e testimit do të dihet se sa është ai realisht. Aktualisht procesi është në fazë eksplorimi dhe kjo fazë mbaron ditën në të cilën puset hyjnë në prodhim, jo në testim. Një pus në testim nuk është pus në prodhim.
Kryeministri Rama tha në daljen publike se testi do nisë në tetor dhe rezultatet bazohen në ndjekjen e qëndrueshmërisë së fluksit që del mbi sipërfaqe.
Kompanitë, në momentin që mbaron faza e eksplorimit dhe dallojnë që ka rezervuar, fillojnë në mënyrë masive shpimet e puseve. Nëse Shell do zbulojë vendburime mund të çojë 5 apo 6 sonda. Do të jetë testimi do të jetë ai që do të tregojë gjithçka. Inxhinierët shpjegojnë se edhe pas këtij testimi ata duhet të bëjnë dhe një shpim tjetër, para se të jepen konkluzionet ë të sakta.
Rezervat janë në tre lloje, të ashtuquajtura 3P, që nënkupton sasinë totale të rezervave që një kompani vlerëson se ka akses, e llogaritur si shuma e të gjitha rezervave të provuara dhe të paprovuara (3P -proven, probable, and possible reserves; të provuara, me probabilitet dhe të mundshme) .
Pra, nga pikëpamja gjeologjike duhet që procesi të kalojë në fazë testimi dhe vetëm më pas do të vlerësohet sa është potenciali real.
Naftë e pastër, por kostot rriten në mënyrë eksponenciale për nxjerrjen e saj
Inxhinierët shpjegojnë se nga pikëpamja e lëvizshmërisë, në Shpirag, presupozohet që duhet të jetë një burim i mirë i lëvizshmërisë së naftës që do të thotë që nga cilësia është e ngjashme me naftën e hedhur në makina.
Por dhe kostot e nxjerrjes së saj janë tepër të larta.
Sa më thellë që zhytesh në një vendburim, aq më e mirë është cilësia e naftës, por nga ana tjetër rritet niveli i aromatikëve dhe përmbajtja e h2s, (Hydrogen Sulfide- një gaz që gjendet zakonisht gjatë shpimit dhe prodhimit të naftës bruto dhe gazit natyror). Këto janë dy probleme që kanë të bëjnë me nxjerrjen e naftës nga sipërfaqe të thella, që çojnë në nevojën e ndërtimit të një stabilimenti sipërfaqësor që të përballojë flukse të larta të h2s.
Në çdo vend që të shposh, sa më thellë të zbresësh , aq më i lartë është niveli i h2s, duke bërë që të nxirret i ashtuquajturi prodhim i hidhur (sour production), që kjo naftë e përmban në nivele të larta (më shumë se 4 ppmv).
Një tjetër problem, që rrit ndjeshëm kostot e prodhimit është thellësia e puseve që do të shpohen. Shtimi i një pusi 5-6 mijë metra ka kosto ekstreme.
Për krahasim, shpimi i një pusi në fushën e Patos Marinzës, – që është fusha më e madhe naftëmbajtëse në vend dhe aktualisht shfrytëzohet me koncesion nga Bankers Petroleum – ka një kosto prej 1-1.5 milionë dollarë për një thellësi pusi deri në 1500 metra. Inxhinierët shpjegojnë se me rritjen e thellësisë rritet kosto në mënyrë eksponeciale, duke arritur deri në 80 milionë dollarë.
Kohëzgjatja e hapjes së tij shkon në 6 muaj dhe faza e testimit shkon në 6 muaj të tjerë, pra do të duhet të kalojë një vit, që të kalojë në proces prodhimi të mirëfilltë.
Mirëmbajtja e puseve është një tjetër proces me kosto të lartë. Kolonat, fillimisht për shpimin dhe më pas për nxjerrjen janë 6 mijë metra dhe dëmtimet që mund të pësojnë janë të ndjeshme.
Për një pus prej 1500 metrash kosto arrin në 30-40 mijë dollarë, ndërsa për 6 mijë metra, kosto është 10 herë më e lartë.
Nëse fillon prodhimi….
Sipas vlerësimeve që janë bërë nga vetë kompania, nëse fillon procesi i prodhimit, nga një pus mund të nxirret 2-3 mijë fuçi naftë në ditë. Inxhinierët shpjegojnë se ky konsiderohet një nivel i mirë prodhimi.
Për krahasim, Bankers Petroleum prodhon rreth 9 mijë fuqi me më shumë sesa 300 puse aktivë, që janë rreth 1500-2000 metra të thellë. Nafta e nxjerrë nga Bankers është më e rëndë se është më afër sipërfaqes.
Ndonëse prodhimi për një pus është në nivele të kënaqshme, ky është një proces që kërkon kohë.
Faza e parë është ajo e fontanimit natyror, që është fazë në të cilën nuk ulen pompa, por për shkak se presioni i shtresës është i lartë, kjo bën shtyrjen e naftës nga nëntoka drejt sipërfaqes, që vazhdon 1-2 vjet nëse zbulohet rezervuari.
E dyta është faza me pompa, teksa pasi bie energjia e shtresës, që të vazhdojë ekstraktimin, duhet të ulën pompa që të bëjë nxjerrjen e naftës.
Inxhinierët shpjegojnë se ka dhe një tjetër problem. Vendburimi i Shpiragut është në eksplorim dhe një pus i vetëm nuk mjafton që të evidentojë nëse kemi rezervuar. Matematikisht duhen të paktën 3 pika që të formosh një sipërfaqe, nëse nuk ke tre pika nuk mund të thuash që ke një rezervuar. Që të kesh tre pika kjo nënkupton që duhet të kesh tre puse. Teknikisht Shell e ka shpuar një pus më parë dhe nëse do japë prodhim, ky do jetë i dyti. Praktikisht duhet shpuar dhe një pus i tretë që të formohet sipërfaqja. Nëse i gjejnë këto tre konture mund të krijohet një ide më e qartë për potencialet e rezervës.
Nëse kalohet në fazën e prodhimit, një proces tjetër i rëndësishëm është transporti. Berati nuk është i përshtatshëm, nga ana gjeografike dhe praktikisht menduar për linjën e transportimit nga Berati në portet në Vlorë ose Durrës.
Inxhinierët shpjegojnë se teknikisht është një proces që do të zgjasë për vite të tëra nga pikëpamja teknike dhe mund të duhen 5-10 vite, gjithnjë nëse zbulohet naftë dhe ajo ka leverdi të nxirret.
A ka leverdi?!
Kostot e prodhimit, siç u përmend dhe më lart janë të mëdha. Hapja e një pusi kushton 80 mln dollarë. Nëse vlerësohet që një pus prodhon 2 mijë fuçi naftë në ditë, me çmimin aktual të treguesit referencë Brent që është rreth 80 dollarë/fuçi, teknikisht do të duhet një vit që të mbulohen vetëm kosto e shpimit të pusit, pa llogaritur kosto të tjera.
Pra për çdo pus që vihet në punë dhe që prodhon aq sa pretendohet, viti i parë shërben për të nxjerrë kostot e shpimit, plus kosto të tjera personeli, tubacioni, depo, që arrijnë mbi 100 milionë dollarë. Si rrjedhojë, shlyerja me një prodhim 2 mijë fuçi në ditë kërkon një periudhë kohore prej 1.5 vitesh, që do të thotë se për 1.5 vit prodhohen zero lekë, sepse të gjitha këto para shkojnë për të mbuluar kostot.
Gjithsesi, nëse zbulohen rezerva nafte, kompania mund të gjenerojë të ardhura të larta përmes hapjes së puseve të reja. Nëse prodhimi arrin p.sh prodhimi në 30 mijë fuçi në ditë, kompania mund të gjenerojë 2.4 milionë dollarë në ditë, mbi 700 milionë dollarë në vit.
Inxhinierët shpjegojnë se mundësia ekziston, çështja është a ka apo nuk ka vendburim nafte dhe përgjigja për këtë ende nuk është e qartë, pa u kryer testimi.
Shitja ka sfidë edhe transportin e naftës. Nëse zbulohet, faza tjetër është ajo e ndërtimi të tubacioneve drejt Petrolifera në Vlorë, ose Porto Romanos në Durrës, që ka kosto shtesë.
Për krahasim Bankers Petroleum e transporton naftën me tubacion nëntokë që i mbledh me pika grumbullimi nëpër fushë sipas parametrave të kërkuar dhe e dërgon në njësinë qendrore të grumbullimit “Fier Hub” dhe nga aty transportohet në portin e Petrolifera në Vlorë përmes trenit. Më përpara nafta transportohej me bote po në Vlorë.
Konkluzioni: Lajm i mirë, por mos prisni mrekulli dhe as përfitime të shpejta
-Nëse ka naftë në Shpirag, ky padyshim që do të ishte një lajm shumë i mirë;
-Edhe nëse ka naftë, procesi i shfrytëzimit do të jetë shumë i gjatë. Do të duhet të kalojë një dekadë që të fillojmë të marrim frytet e para;
-Nafta është e pastër, por kosto e nxjerrjes së saj, për shkak të thellësisë, është tepër e lartë dhe do të kërkojë disa vite;
-Gjithsesi, nëse zbulohen rezerva, kompania mund të veprojë me shpejtësi duke hapur shumë puse njëherësh, çka do të rrisë ndjeshëm të ardhurat e gjeneruara, një pus vlerësohet se nxjerr 2-3 mijë fuçi naftë në ditë;
-Pas nxjerrjes së naftës një tjetër problem është transporti i saj. Për shkak të pozicionimit gjeografik të Beratit, kompania do të duhet të ndërtojë rrjetin e shpërndarjes për në portin e Petroliferës në Vlorë, ose Porto Romanon në Durrës. MONITOR