*Tea Construction & Petrol, katërfishoi aktivitetin e saj në 2013-n, duke arritur një xhiro prej 8.7 miliardë lekësh, ra 5% në 2014-n, për t’u “zhdukur” fare nga tregu në 2015…
7 dhjetor 2015 – Nëse ka një sektor që ka lëvizje të mëdha, me mbyllje të kompanive, apo rritje stratosferike të tyre brenda një periudhe të shkurtër kohore, ky është tregtimi i naftës. 2014-a ka shënuar një numër rekord kompanish (një pjesë të krijuara në tetor 2013), që janë rritur ndjeshëm. Pas daljes nga tregu të Taçi Oil në mesin e 2013-s dhe më pas të IT Oil, operatorë të rinj, të krijuar në fund të 2013-s, kanë rritur me shpejtësi aktivitetin. Të tjerë janë në vështirësi dhe kanë “braktisur” kompaninë, duke lënë me gisht në gojë kreditorët.
Luigj Aliaj i Shoqatës së Shoqërive të Hidrokarbureve, pohon se tregu i naftës ka luhatje shumë të mëdha, duke qenë dhe sektori që ka më shumë falimentime. “Çdo vit falimentojnë 2-3 kompani”, pohon ai.
Nga ana tjetër, ka shumë sipërmarrje, që hyjnë në treg, ndërkohë që mungon kontrolli dhe informaliteti është shumë i lartë. Mund të ndodhë që një operator të hyjë në treg, të xhirojë deri në 10 milionë dollarë dhe të dalë vitin tjetër, duke shkarkuar kështu një pjesë të xhiros së pafaturuar të një kompanie tjetër, një formë e përdorur rëndom evazioni më se një dekadë më parë, por që duket se është rikthyer sërish në modë. Edhe Autoriteti i Konkurrencës e ka pohuar këtë prirje të luhatshmërisë së madhe të tregut në një hetim për tregun e karburanteve, duke kërkuar “ndërtimin e instrumenteve për të kontrolluar hyrjet dhe daljet e shpeshta brenda vitit financiar të ndërmarrjeve që operojnë në tregun e tregtimit me shumicë të karburanteve, të cilët gjenerojnë konkurrencë të pandershme”. Të njëjtin mendim ka dhe Aliaj, i cili thotë se duhet të rregullohet tregu, që kompanitë të mos hyjnë e dalin si të duan, por të ketë kritere të larta.
Aliaj thotë se mjafton që një sipërmarrje të blejë disa bote me naftë dhe xhiron shuma të larta. Sipas një pike të ligjit për hidrokarburet, kompanitë duhet të mbajnë rezerva 90 ditë kalendarike, çka përbën një kosto të madhe, por firmat e vogla nuk e zbatojnë këtë dhe e mbyllin vitin tjetër, kur duhet të rregullojnë rezervat.
Në total, tregu vlerësohet se xhiron 400-500 milionë euro, por nafta blihet e shitet shumë herë, duke rritur artificialisht volumin e tregut dhe xhiron e kompanive. Për vitin 2014, xhiro e 21 kompanive në listën e 200 më të mëdhenjve u rrit me 18%, ndërsa importet e karburanteve për këtë vit ishin 482 mijë tonë, rreth 5% më të larta se një vit më parë. Nga natyra, sipërmarrjet e naftës qarkullojnë volume të mëdha, që realisht nuk kanë ndonjë ndikim të madh në ekonomi. Kompanitë e naftës karakterizohen nga norma të ulëta fitimi dhe kanë një numër të vogël të punësuarish, dy elemente që janë parësore për të parë ndikimin e një kompanie në ekonominë reale të një vendi.
Në renditjen e kompanive më të mëdha sips xhiros për 2014-n, Monitor ka listuar dhe kompanitë kryesore të naftës, disa të qëndrueshme prej dekadash dhe të tjera të luhatshme nga viti në vit.
Kastrati SHA është kompania e dytë më e madhe në vend, sipas xhiros, duke i rritur të ardhurat me 5% në rreth 67 miliardë lekë në 2014-n, një kompani kjo e qëndrueshme në treg prej vitesh.
Europetrol Durrës Albania (tregtuesi i markës Eida) vijon të mbetet në listën e 10 të mëdhenjve. Ndërsa dikur ishte në të njëjtat nivele me Kastratin, treguesi i naftës ka parë një rënie të vazhdueshme të të ardhurave vitet e fundit. Në 2014-n, xhiro vjetore ishte 19.6 miliardë lekë, me një rënie prej 13%.
Everest Oil SHA është një hyrje e re e dy viteve të fundit, që është ngjitur me shpejtësi në renditje. Kompania është krijuar në mesin e vitit 2012, për të arritur të ardhura prej 16 miliardë lekësh në 2013-n, duke u pozicionuar atë vit direkt në vendin e dhjetë. Në 2014-n, zgjerimi vazhdoi, ndonëse me ritme më të ulëta, duke arritur në 18.9 miliardë lekë (rritje 16%). Everest tregton me shumicë naftën nga depozitat e Petrolifera, ndërsa nuk ka një rrjet të vetin të tregtimit me pakicë.
RDA Petrol është një kompani e krijuar në vitin 2013, që ka arritur të ketë një xhiro prej 5.5 miliardë lekësh në 2014-n, me një rritje vjetore prej 82%, duke siguruar vendin e 38. Sipërmarrja e ka qendrën në Fier. Sipas burimeve të saj, ajo tregton dhe shpërndan me shumicë naftën e importuar nga ENI AGIP, por edhe produktin vendas të Rafinerisë ARMO. Për këtë qëllim, ajo zotëron filiale të tregtimit me shumicë në Vlorë, Fier, Ballsh, Durrës e Tiranë.
Eroil, e krijuar në tetor 2013, është ngjitur me shpejtësi në 2014-n, duke shënuar një qarkullim vjetor prej 5.3 miliardë lekësh, e pozicionuar në vendin e 40 sipas xhiros.
Edhe Sun Petroleum Albania Trading, distributore produktesh nafte me rrjet retail, që operon nën brandin e Gulf Oil në Shqipëri, Kosovë, Republikën ish-jugosllave të Maqedonisë dhe Mal të Zi, e krijuar po në tetor 2013, ka parë një rritje të shpejtë, duke arritur një qarkullim vjetor prej 3.45 miliardë lekësh.
Tea Construction & Petrol, një nga kompanitë që shënoi rritje të shpejtë në 2013-n ndodhet prej muajsh në telashe, duke pasur detyrime të prapambetura dhe kreditorët nuk arrijnë të gjejnë drejtuesit e kompanisë, siç referohet dhe në materialet e përmbaruesve, ku Raiffeisen Bank ka kërkuar kthimin e një kredie prej 510 mijë eurosh dhe FIT-MEK-OIL kthimin e detyrimeve. Tea Construction& Petrol, pjesë e Tea Oil Group, katërfishoi aktivitetin e saj në 2013-n, duke arritur një xhiro prej 8.7 miliardë lekësh, për t’u ngjitur në vendin e 27-të, nga i 68-i që ishte vetëm një vit më parë në renditjen e 100 të mëdhave. Sipas burimeve zyrtare të kompanisë, aktiviteti i saj kryesor është shitja me shumicë dhe pakicë e naftës, ndërtimi i rrugëve, import-eksporti etj. Më se një vit më parë, ajo mori markat e naftës Alpet dhe Cyclon. Në 2014-n, kompania i uli të ardhurat me 5% në 8.5 miliardë lekë, duke u renditur në vendin e 27-të.
E ardhmja e kompanisë duket e paqartë, duke konfirmuar se i ashtuquajturi tregu i arit të zi, është i zi dhe për sa i përket transparencës se çfarë ndodh në të.
AFT, një tjetër operator i ri nafte, që u rrit me shpejtësi në 2013-n, ka parë një rënie të të ardhurave, me 34%, në 2.9 miliardë lekë.
Informaliteti dhe tregu i çorganizuar vlerësohen nga operatorët si një nga faktorët që ndikon në mbajtjen e çmimeve të larta, apo dhe në rritjen apo uljen e tyre të njëkohshme nga disa operatorë (siç ndodhi pak ditë më parë me uljen me 9-10 lekë për litër), sjellje që ka qenë shpesh dhe objekt hetimi i Autoritetit të Konkurrencës.
ARMO, në gjysmën e dytë të 2014-s dhe muajt e parë të 2015-s, kompania e përpunimit të naftës doli nga letargjia ku e kishin futur një varg relativisht i dështuar privatizimesh e shitblerjesh. Ajo rinisi përpunimin e naftës direkt dhe përmes dy kompanive që morën me franshizë aktivitetin e saj, Deveron Oil Albania dhe TPD-Trading Petrol & Drilling.
Deveron Oil Albania, e hapur në 13.11.2013, me të ardhura zero në 2013, ka parë një rritje të shpejtë të të ardhurave në 2014-n, në 10.7 miliardë lekë, duke u renditur e 21-a ndër kompanitë më të mëdha. Sipas Ministrisë së Industrisë dhe Energjisë, Deveron Advisor Corp zotëron shoqërinë Oil Albania. Konsiderohet se është person i lidhur me zotëruesit e aksioneve të shoqërisë ARMO. Deveron është krijuar në nëntor të 2013-s. Prej shkurtit të vitit 2014 operon në rafinerinë e Ballshit me kapacitet të përpunimit të naftës bruto prej 1 milion tonësh në vit, por me një përpunim real 110 mijë tonë. Arsyeja qëndron se faza e investuese u mbyll në muajin korrik dhe është punuar për 5 muajt e fundit të vitit 2014.
TPD-Trading Petrol & Drilling, në shtator të 2013-s, ka nënshkruar marrëveshje me ARMO-n dhe operon në rafinerinë e Fierit në kapacitet përpunimi 500 mijë tonë në vit, që nëpërmjet qirasë shfrytëzon një nga impiantet e përpunimit të naftës së ARMO-s. Kompania është krijuar në maj të vitit 2012, sipas të dhënave nga QKR dhe ka njohur rritje të shpejtë, duke e shtuar xhiron me 440% në 2014, në 16.5 miliardë lekë. Ajo është radhitur e 11-a ndër kompanitë më të mëdha për nga xhiroja në tatime në vitin 2014.
Ndonëse shteti ka ende 15% të aksioneve të ARMO-s (pjesa tjetër zotërohet nga azerët e Heany Assets Corporation, që rezulton se kanë lënë administrimin e kompanisë) mungon plotësisht transparenca se çfarë po ndodh me përpunuesin e naftës, që sipas kontratës së privatizimit duhet të investonte 250 milionë dollarë.
Për xhiron e ARMO-s në vitin 2014 nuk ka të dhëna të plota. Kompania nuk ka dorëzuar bilanc në QKR, ndërsa tatimet kanë të dhënat për të ardhurat nga shitjet të kompanisë për 11-mujorin, që arrijnë në 2.8 miliardë lekë. Në vitin e plotë 2013, ARMO deklaroi një xhiro prej 7.1 miliardë lekësh. /Monitor