Naftëtarët e Ballshit janë ngritur sërish sot në protestë dhe kanë bllokuar daljen e autobotëve që ishin në uzinë për të marrë squfur dhe gazoil. Mësohet se ata nuk do t’i lënë mjetet që të kalojnë deri në momentin që do t’u jepen pagat e prapambetura. Kjo pasi mjetet janë në pronësi të kompanive që administrojnë uzinën.

Një prej naftëtarëve që ka dalë në protestë ka thënë se ata po kërkojnë lekët e tyre që kanë punuar, që sipas tyre është buka e gojës. “Nuk mund të largohen në asnjë mënyrë punonjësit e rafinerisë së Mallakastrës sepse kanë 6 muaj pa marrë pagat, duhet të ushqejmë familjet. Ne po kërkojmë bukë. Protestojmë prej vitesh nuk na është ofruar asnjë zgjidhje. 5 muaj rresht që nuk po paguhemi dhe nuk po kuptojmë asgjë. Edhe ju të jeni në vendin tonë do të ngriheni, kjo nuk është protestë, po kërkojmë atë që na takon. Ose ta zgjidhë shteti këtë çështje ose ta dimë edhe ne që uzina e Ballshit nuk funksionon më.”, tha një tjetër punëtor.

Naftëtarët e Ballshit kanë protestuar edhe më parë. Para Prefekturës ata deklaruan se kanë 4 muaj pa rroga dhe nëse nuk u jepet një zgjidhje do të marshojnë drejt Tiranës. Rafineria e Ballshit e administruar nga kompania “Tosk Energji” është mbyllur që në muajin shtator, dhe punëtorët prej asaj kohe kanë dalë në protestë. Naftëtarët kanë dalë disa herë në protestë në Fier, ku kanë kërkuar që të marrin pagat e tyre, por nuk janë dëgjuar nga autoritetet.

Janë më shumë se 800 punëtorë që kanë mbetur pa punë. Bankers në një reagim pas mbylljes së rifinerisë, e ka hedhur fajin tek ‘Tosk Energji’, ku u shpreh se kjo kompani ka shkelur disa herë kontratat çka e ka vënë atë në pozitë të vështirë për sasinë e naftës gjendje, e cila ka kaluar më pas për eksport.