Nga BUJAR QESJA

-Sa të çmuara kujtimet në këtë moshën tonë

-Privilegj për të takuar mësuesit tanë

-Mjaft nuk jetojnë, të tjerët meritojnë t’u përulem

i-Përjetime pa fund, kur “piqemi” me edukatorët tanë

-Respekti ndaj tyre, sa të kemi me frymë

I vendosa këto nëntituj shkrimit, për të dalë atje ku e kam qëllimin. Vitet po na e ngrejnë stekën e moshës. Kemi hyrë në dekadën e shtatë dhe po vazhdojmë të ecim. Kur kthejmë kokën pas, tamam si një traktor, shikojmë se sa “tokë me jetë” kemi pluguar. E sipas rasteve, kjo tokë e begatë që u munduam shumë për ta punuar e vënë në prodhimtari, kanë ustallarët e tyre që na ndihmuan. Pa to, as mos të mendonim se do të ishim këto që jemi.

I tërë ky figuracion dhe metodë krahasuese që përdora, e bëra enkas për personin që nuk mund ta mendoja se do ta takoja kështu. Është njëri prej mësuesve tanë, prej atyre të artëve njerëz, që me shumë durim dhe përkushtim na formatuan kulturën, edukatën, sjelljen, mendimin, duke na ndihmuar në profilizimin e natyrave tona. E di se çkan hequr. Di dhe këtë tjetrën, se sa i kemi munduar. Dhe më tej formova bindjen e plotë, se ne jemi dhe mbetemi pjesë e kulturës dhe edukatës së tyre. Nëna dhe babai na nxitën kulturën e sjelljes, ndërsa mësuesi këto po se po, por edhe formimin mësimor.

Po vizitoja ekspozitën fotografike mahnitëse të Gëzim Domit, kur ishte e enjtja e 23 qershorit të vitit 2022. Kur po bëhesha gati ta përfundoja së shikuari këtë prezantim fotografik, befas më çfaqet para meje, një burrë me fizik të brishtë, i hollë, por trupi nuk i ishte dorëzuar. Me një republikë në krye, burri që m’u përball, nuk e ishte humbur pamjen e dikurshme, atë që unë mbaja mënd në fillimet e viteve 60-të. Atëherë kryeja mësimet në shkollën 7-të vjeçare “Dalip Tabaku”, sigurisht në Durrës.

Drejtor i shkollës mbaj mënd, ka qenë burri zotni Miser Voci dhe nëndrejtor njeriu i përmallshëm që sa nuk u “përplasëm”.
-Mësues Naimi, thirra me të madhe.

Dhe u përqafuam me shumë mall. Ia vendosa kokën në gjoksin tim, ashtu si dikur ai më kishte vendosur kryet e mi në gjoksin e tij. Kisha kohë pa e takuar. Oh shumë kohë. Kjo kishte shtuar mallin dhe e kishte bërë të ndjeshëm shpirtin tim.

E qeshura e tij nuk kishte ndryshuar. Por edhe elekuenca në të folur. Sa i mbarë është Gëzim Domi, ngacmova veten në atë çast. Në ekspozitën e tij, që kishte luajtur nga vëndi një Durrës të tërë, kush nuk kishte ardhë. Vendas dhe të huaj, durrsakë që jetojnë në Durrës, por edhe durrsakë që kanë vite që jetojnë në Itali e gjetkë. Dhe ky mësuesi im, sapo ishte kthyer nga Italia. Kishte ardhë për të takuar vajzën që kishte lindur. Martesa është bërë, me djalin e shokut tonë të paharruar Bujar Gjinalit, që u nda shumë shpejt nga jeta.

Surpriza ishte se Naim Rexha i kishte dhënë kimi edhe bashkshortes time, Kostandinës. Edhe atë ai e mbante mënd shumë mirë. Eh sa minuta të arta që kaluam, ashtu papritur në sheshin ku Gëzim Domi kishte prezantuar punën e tij 40 vjeçare.
-Ku jeton tani profesor Naimi?
-Banoj në Gjenova të Italisë. Një qytet i mrekullueshëm. Jam së bashku me dy djemtë. Kam vite e vite që jam aty. Në Durrës kam shtëpinë, tek lagja e mirënjohur e Sefer Efeniut. Sa kalon furrin e Ibishit, në një rrugicë majtas teksa merr tatëpjetën, diku tek Trumat, e mbiemra të tjerë të njohur në Durrës.
Naim Rexha, është vëllai i madh i familjes së krijuar nga çifti Selman dhe Emine Rexha. U lindën tre vëllezër dhe tri motra. Tani ka mbetur njëra nga motrat, si dhe Naimi me vëllanë më të vogël Skënderin.
-Mosha profesor Naimi, sa vite jetë t’u bënë?
-I kam kaluar 90-të vitet, nxënësi im i mirë që nuk më je shkitur nga kujtesa.

Në minutat që qendruam, bëmë edhe pak humor. Naim Rexha është i datëlindjes 29 shkurt 1932. Për çdo vit, festonin ditëlindjet me një grup miqsh në Itali dhe kishin rënë dakort që ta qerasnin njëri tjetrin. Në ditët e tyre, ato e gostisnin profesorin tim, por ndërkohë nga ai nuk kishte reagime.

Një ditë e pyetën:
-Po pse vetëm ne do ta mbajmë fjalën?
-Po mua, iu përgjigj profesori nuk më ka ardhë ende dita e lindjes, ndonëse kalojnë vite.
-Por si ndodh kjo? reaguan të paduruarit miq.
-Ndodh kështu: kam lindur me 29 shkurt dhe një herë në katër vjet, më bie rasti të festoj. Kjo është puna. Prandaj unë jam brenda kompromisit që kemi bërë.
Vërtet ky lloj humori na duhej. Naim Rexha ishte i pikëlluar nga largimi herët nga jeta, i një personaliteti tjetër të arsimit durrsak, i vëllai Ali Rexha. Por ndërkohë ishte shumë i gëzuar dhe kjo dukej nga shkëlqimi i syve, për jetën aktive të vëllait të vogël Skënderit 85 vjeçar.

Bëmë dy foto me Naim Rexhën, që po i publikojmë. Kujtim shumë i çmuar. Profesori im Naim Rexha 90-të vjeçar dhe nxënësi i tij, 19 vite më i ri. Por ky takim nuk e vuri “re” diferencën e moshës, se sa të qënurit të barabartë para mallit dhe kujtimeve.
-Ishalla Zoti do të na puqë sërish profesor Naimi! Kështu si e ke nisur, do të mbyllësh një shekull jetë. Të kam respektuar dhe kështu do të bëj deri në fund Naim Rexha, nga mësuesit e mi të parë.

Ja vendosa sërish kokën në gjoksin tim. Loti i tij më ngrohu zemrën.
-Mirupafshim profesor! Të duam!
Durrës: 25 qershor 2022