Nga BUJAR QESJA

Me 20 mars 2021, të dërgova një urim Naim Saraçi për 76 vjetorin e lindjes. Më mungoi ai reagimi yt plot kulturë e ndjeshmëri qytetare. Por nuk më shkonte ndërmënd, se ishe në frymarrjet e fundit të jetës tënde. Më kishe thënë se do të vi këto ditë në Durrës, për t’ju mbledhur e për t’u çmallur. Ju dua shumë, pasi jeni pjesë e rinisë time, e jetës time. Kështu mw thoje.

Djali i Mustafa Saraçit, Fabiani më njoftoi në mesditë për largimin nga jeta të Naim Saraçit, vëllait të Mustafa Saraçit, një njeri i domosdoshëm në memorien e komunitetit qytetar dhe sportiv të Durrësit, të Kavajës, të Fierit dhe të Tiranës. Një djalosh ëndrrimtar, që hyri në rrugën e futbollit plot pasion e zell. Ishte një futbollist elegant dhe sportdashësit e duatrokisnin me shumë shpirt, me shumë zemër.

Ndonëse u largove nga Durrësi, për të ndërtuar një tjetër jetë në Tiranë, ti kurrë Naim i shtrenjtë nuk e harrove Durrësin dhe durrsakët. Më merrje në telefon dhe me shumë thjeshtësi dhe kulturë të lindur më thoje:

-Më fal Bujar, mos të mërzita. Nuk mund të rri pa ju marrë në telefon, pasi dua tju dëgjoj zërin, jeni pjesë e imja. Si janë shokët? Bëju të fala. Do të vi një ditë t’ju mbledh e të kalojmë minuta të gëzueshme, e të kujtojmë kohën e rinisë tonë, kur luajtëm futboll me shumë dëshirë e përkushtim.

I miri Naim Saraçi! Largimi yt nga jeta vjen në një kohë dhimbjesh, ku shpirtërat tanë nuk po ndjejnë qetësi. Sa mbyllet një plagë hapet tjetra. Sa ikën një hall, shpejt vjen halli tjetër. Sapo harrohemi e futemi në përditshmërinë tonë, vijnë lajme të trishta që na hapin koren e plagëve. Një i tillë ishte sot, në këtë të enjte të 25 marsit 2021.

Pranvera i kishte çelur lulet. Pranvera po e ngrohte paksa motin, por të na çuar shpejt në zemrën e saj të bukur dhe të dlirtë. Besimi se ky kovid plot dramë e traumë, po zbutej e po daravitej për të shkuar nga pika e nisjes, në momentin që u mendua se fitove mbi të keqen, vjen edhe drama. Ështe drama e dhimbjes dhe largimit nga jeta të një shoku, të një miku, të një njeriu që të krijon boshllëk kur nuk do ta kesh më pranë.

Eh Naim Saraçi! Më ishe bërë ditët e fundit shumë aktiv në jetën time. Më pyetje se si po e kaloaj me Kovidin, që të kem kujdes e të ruhem. Më mbaje merak, pasi ti ma dije huqin, që nuk mund të rri dot pa njerëz, pa bisedat e tyre plot lëng e plot shpirt. Prandaj më porositje: Kujdes Bujar, ruhu!

E tani! E çfarë tani! Ti nuk je më dhe nuk dua ta besoj. Ti nuk je më dhe nuk dua ta mendoj. Ti nuk je më, por kjo kurrë nuk do të besohet. Të jesh i sigurtë, se gjithnjë do të përfytyroj se ti do të më telefonosh njëlloj si më parë. Dhe gjithnjë do të dëgjoj zërin tënd të butë, ndjeshmërinë dhe ëmbëlsinë e shpirtit tënd, elekuencën origjinale të të folurit:

-Si je Bujar! Shokët si janë! Të mora thjesht për të pyetur, pasi nuk mund të rri larg jush. Nuk besoj se të mërzis. Do të të marr përsëri. Jeni miqtë e mi, jeni shokët e mi, jeni Durrësi im i paharruar.

Lamtumirë Naim Saraçi, kavajasi i artë i Durrësit! Pranvera çeli krahët. Dhe në ato krahë të përfshiu përjetësisht edhe ty Naim. Pranvera i çeli lulet, të cilat na duhet për ti lënë si kujtim në dheun e lehtë të tokës tonë.

Të duam Naim, të duam njëlloj si më parë! Tashmë nëpërmjet memories dhe kujtimeve të çmuara.

Naim Saraçi! Emër i paharruar i miqësisë tonë.