Mirëpritja prej një “ylli” para 6 muajsh tashmë duket e largët. Madje, që tani flitet për një ndarje të parakohshme mes Radja Nainggolan dhe Interit. Futbollisti belg erdhi në Milano si një prej lojtarëve që do të ndihmonte zikaltrit për të bërë hapin e madh, ai i cili do të sillte grintë, cilësi dhe përvojë në mesfushë.

Pritshmëritë ishin të larta, por tani nuk janë përmbushur aspak. Ndoshta edhe për shkak të dëmtimeve, por arsyeja kryesore është edhe jeta disi e “çmendur” e ish-lojtarit të Romës dhe Cagliarit.

Dënimi i dhënë ditën e diel (Nainggolan u pezullua pa afat nga skuadra) ka hapur disa mundësi që në merkaton e janarit, të cilat deri dje as nuk ishin të imagjinueshme. Marrëveshja prej 39.2 milionë eurosh e verës së kaluar me Romën rrezikon të bëhet një dhimbje koke për Interin, me tifozët që kanë filluar të pyesin nëse ishte e drejtë sakrifikimi i një talenti si Zaniolo për të marrë lojtarin e shumëkërkuar të Spallettit.

Nuk mund të mos lihet pa përmendur gjithashtu edhe rroga e majme e mesfushorit belg, i cili merr 4.5 milionë euro në sezon. Nëse në janar do të vinte një ofertë “e mjaftueshme” nga Kina, më saktë nga Guangzhou, Interi do të ishte gati për të negociuar. Për momentin bëhet fjalë vetëm për një hipotezë, por në të ardhmen mund të ketë edhe lajme zyrtare. Janari do të jetë vendimtar.