Është shoqëruar me debate mbledhja e ditës së sotme në Komisionin për Çështjet Ligjore. Duket se debatet e djeshme të seancës plenare po vijojnë edhe në këtë mbledhje.
Deputetë e PD akuzuan kryetaren e komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka, se ka shkelur Rregulloren me përjashtimin e deputetëve.
Për këtë arsye, nuk kanë lejuar zhvillimin normal të mbledhjes së Komisionit, duke mos lejuar përfaqësuesit e Qeverisë që të flasin dhe as deputetët e Partisë Socialiste.
Nga ana e saj Klotilda Bushka nuk i lejonte të fliste dhe u tha deputetëve të opozitës se do u jepte fjalën vetëm kur ata të kërkonin falje për dhunën.
Në këtë moment ka ndërhyrë Bledion Nallbati i cili dje në seancë goditi me grusht deputetin socialist Vullnet Sinaj. Pas debateve Bushka ndërpreu mbledhjen.
Pjesë nga debati
Klotilda Bushka “Këtë revanshin e ulërimës, ndërprerjes, gjuhës së urrejtjes përdoreni atje ku ju ecën, jo në kuvend.
Gazment Bardhi: Përjashtuat 23 deputetë.
Klotilda Bushka: Mendova se do të kërkonit falje për sjelljet e dhunës. Ky është fundi i parlamentarizmit. Mendova se do të kërkonit falje. Do të distancoheshit nga aktet e dhunës.
Nallbati: Më jep fjalën. O ti zonjë më jep fjalën se fole për mua.
Klotilda Bushka:Ndërpritet mbledhja.