Numri i lartë i besimtarëve, që pritet të marrin pjesë në faljen e Fitër Bajramit mëngjesin e së premtes i ka shtyrë drejtuesit e myftinisë dhe xhamisë së madhe të Durrësit të bëjnë disa ndryshime gjatë ceremonisë së namazit.
Për herë të parë, këtë vit, një pjesë e sheshit “Liria” dhe hapësira të tjera publike pranë xhamisë do të jenë në dispozicion të besimtarëve, për kryerjen e ritualit të faljes, që nis në orën 6.25 minuta.
“Këtë vit ne kemi menduar që krahas hapësrave të brendshme dhe të jashtme rreth e rrotull xhamisë të përdorim edhe hapësirat përballë dhe përbri xhamisë. Sheshin përpara bashkisë, rrugën, trotuarin dhe çdo hapësirë tjetër të mundshme. Falja e Fitër Bajramit është më masive sesa falja e Kurban Bajramit, sepse njerëzit janë më të përfshirë në agjërim dhe më të përfshirë për të marrë pjesë në atmosferën e faljes së Bajramit. Shfrytëzimi i hapësirave më të mëdha tregon që edhe besimtarët janë shtuar”,- thotë për “DurrësLajm”, imami i xhamisë së madhe Ervin Qylafku.
Festa e Fitër Bajramit përmbyll muajin e madhërueshëm të Ramazanit, gjatë të cilit, besimtarët e devotshëm agjërojnë. Një nga traditat kryesore të kësaj feste është dhënia e sadakasë, një akt simbolik që thekson vlerat e solidaritetit dhe bamirësisë për më të varfrit, për ta festuar së bashku këtë festë.
Pas faljes, besimtarët kthehen në familjet e tyre për të vijuar me ritualet e festës, që përfshijnë urimet, vizitat tek të afërmit dhe shtrimin e drekës së Bajramit, ku nuk mungojnë gatimet tradicionale dhe ëmbëlsirat festive.
M.B.





