Një tjetër sasi e konsiderueshme lënde narkotike është gjetur në zonën bregdetare të Durrësit, dhe për herë të dytë në Kallm.
64.5 kg kanabis sativa është sekuestruar nga ana e bluve, e cila u zbulua gjatë kontrolleve të ushtruara nga Policia Kufitare dhe Guarda Di Finanza Italiane.
Personat përgjegjës të implikuar në këtë veprimtari kriminale nuk janë identifikuar, ndërsa vijon puna për zbulimin e tyre.
Droga u gjet konkretisht përballë zonës së Kallmit, në një distancë rreth 5 milje nga bregu i detit, e futur në 7 pako.
Grupi hetimor në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda vijojnë hetimet për zbulimin e origjinës së lëndës, identifikimin e personave të përfshirë në këtë aktivitet kriminal dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Çështja i kaloi Prokurorisë së Krimeve të Rënda Tiranë për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”.
Droga vërshon në detin e Durrësit, 4 raste në 1 muaj
Brenda harkut kohor të një muaji, kjo është hera e katërt që në ujërat e bregdetit të Durrësit gjenden sasi kanabisi. Më 29 prill, një thes me 20 kg kanabis u gjet në zonën e Kallmit (lexo këtu), ndërsa vetëm pak ditë më vonë, më 3 maj, te “Kepi i Palit” në breg të detit u gjetën dhe u sekuestruan 74 pako të mbështjella me celefon të tejdukshëm me peshë 115 kg e 900 gramë kanabis (lexo këtu). Më 15 maj, në afërsi të Kepit të Rodonit dhe në zonën e Gjirit të Lalzit, në det janë sekuestruar 113 kg kanabis sativa e futur në 22 pako (lexo këtu).
S.L.





