Plot 79 persona, mes tyre ish-ministri Slobodan Milosavljevic dhe dy zv/ministra, drejtues kompanish publike dhe biznesmenë të njohur janë arrestuar në kuadër të një operacioni të madh kundër korrupsionit në Serbi. Ata akuzohen se i kanë shkaktuar dëm shtetit në vlerën e 100 milionë eurove.

Ministri i Brendshëm, Nebojsa Stefanovic doli në një konferencë për median ku informoi se është operacioni më i gjerë i ndërmarrë kundër korrupsionit. Hetimet kanë nisur që në vitin 2004 deri më sot, ndërkohë që aksioni do të vijojë dhe pritet që edhe persona të tjerë të arrestohen.

79 personat u arrestuan gjatë natës të së premtes (25 dhjetor) duke u gdhirë e shtuna, pasi dyshohen për afera korruptive në 20 çështje të ndryshme. Ata akuzohen për pastrim parash, shpërdorim detyre, falsifikime të dokumenteve zyrtare, marrje ryshfeti dhe abuzime me prokurimet publike.