Kur qindra maturantë protestojnë se u është mohuar e drejta për t’u pranuar në universitete, një tjetër akuzë e fortë i bëhet Qeverisë. Ish-Kryeministri, Sali Berisha, pasi ka marrë fjalën në foltoren e parlamentit, ka folur gjerësisht për problematikën jo vetëm me pranimet në universitete, por edhe titujt e doktoraturës.
Berisha foli konkretisht, duke u shprehur se “Edi Rama kur erdhi në pushtet, bllokoi gjithë procesin e dhënies së doktoraturave në sistemin publik, me qëllim që t’ia kalonte privatit”. Sipas Berishës, Edi Rama ka ndarë 8 milionë euro me Universitetin Europian të Tiranës, i cili ka për administrator Henri Çilin.
Është folur gjithnjë për favorizim të universiteteve private në Shqipëri, por kjo është hera e parë që dalin shifra dhe emra konkretë, si të përfshirë në korrupsion.
“Kur isha Kryeministër më kërkuan universitetet private që të rris pragun e pranimeve. Nëse futeshim nxënës me 6 e lart në universitete publike më kërkuar ta çoj tek 8 dhe 9. Nuk e bëra.
A e dini çdo të thotë të fitosh në Gjermani dhe në Greqi dhe të mos të jepet e drejta të studiosh në Shqipëri. Ka një akt të ulët dhe çnjerëzor…
Unë vetë mbarova vetë 7-vjeçaren dhe më doli bursa për në Bashkimin Sovjetik dhe ma hoqën bursën. Diktaturë ishte po të drejtën time e nxora. Më morën bursën jashtë, por edhe në Tiranë dhe mora degën që desha.
Ndërsa ky (Rama) është tmerr o zotëri. Ai i FRESSH fiton në 10 preferenca. Janë përjashtuar nxënës me 9.7. Kjo u bë pabesisht, ju dha efekt prapaveprues ligjit. Hiqni nxënësit e mirë dhe fusni ato me 7 në drejtësi.
Kjo që keni bërë me arsimin është forma më violente, më çnjerëzore. Ju do t’ia dëgjoni gjëmën kësaj që po bëni!”, foli me tone të ashpra Berisha.
“Një fushatë e tmerrshme nisi kur u bë Kryeministër (Rama). Bllokoi të gjitha doktoraturat në publik. 8 milionë euro ka kërkuar nga një universitet privat, për t'i ndarë me ta. Me një universitet që quhet Europian, por s’ka asgjë të ngjashme me të. 8 mijë euro paguan studenti për doktoraturë (4 mijë i merr ti ndrikulla, i drejtohet Nikollës)”, shtoi ish-kryeministri.





