Një ditë para festës së vitit të ri në tregun e fruta-perimeve në Durrës është e vështirë të lëvizësh e të bësh pazar.
Siç duket qartë nga fotot e mbërritura në redaksinë e DurrësLajm, me mijëra qytetarë janë dyndur aty që në orët e para të mëngjesit për të blerë një pjesë të ushqimeve për tryezën e festës.
Duke përfituar edhe nga fakti që e shtuna është ditë pushimi për shumë qytetarë, ata kanë shpejtuar për të bërë blerjet e fundit.
Nëpër bankinat e tregtarëve është shumë e vështirë të lëvizësh apo të ndalesh për të zgjedhur frutat apo perimet e dëshiruara.
Edhe nëse kanë mbaruar me blerjet, qytetarëve u duhet të presin me minuta të tëra derisa të hapet një shteg mes morisë së njerëzve për të dalë jashtë markatës.





