Ish-kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi është shtruar në spital pasi “pësoi një dëmtim” gjatë një angazhimi zyrtar në Luksemburg, – njoftoi zëdhënësi i saj.
Zonja Pelosi, 84 vjeçe, gjendej në Evropë për të shënuar 80-vjetorin e Betejës në Ardene, mes Belgjikës dhe Luksemburgut, në Luftën e Dytë Botërore.
Zëdhënësi i saj, Ian Krager, tha përmes një deklarate se zonja Pelosi “po merr trajtim të shkëlqyer nga mjekët dhe profesionistët e mjekësisë” dhe nuk është në gjendje të jetë e pranishme në pjesën e mbetur të ceremonive dhe takimeve të parashikuara në kuadër të vizitës së saj.
Ai nuk dha ndonjë hollësi shtesë mbi dëmtimin që kishte pësuar zonja Pelosi. Zonja Pelosi “pret me padurim të kthehet së shpejti në shtëpi, në Shtetet e Bashkuara”, – tha zëdhënësi Krager.