• Fatos Nano, lideri historik i socialistëve shqiptarë me sa duket, ende është një letër me vlerë në tregun e politkës shqiptare.

 25 janar 2015 –  Katër herë kryeministri dhe 3 herë kryetari i PS-së, në aparencë duket sikur ka dalë në pension të parakohshëm politik. Faktikisht, ka disa javë që Nano është zgjuar nga gjumi letargjik, para se të vijë pranvera, kur zakonisht është koha që zgjohen nga një gjumë i tillë, arinjtë. Viti 2015 duke qenë vit zgjedhjesh, bën mrekulli të tilla duke “zgjuar” nga gjumi edhe politikanë të kalibrit Nano.

Kësaj radhe, Fatos Nano ish-simboli i socialistëve shqiptarë kishte zgjedhur Durrësin, restorant –piceri Riminin për të ngrënë drekën e fundjavës. Ish-kryeministri, përjashtimisht nuk ishte i shoqëruar nga bashkëshortja Xhoana. Nano, siç duket nuk kishte ardhur në Durrës, thjesht për të ngrënë drekë buzë detit, por edhe për arsye politike.

Ai drekoi me deputetin republikan Duka (ish-ministër i bujqësisë dhe ish – prefekt i Durrësit, kur Nano ishte kryeministër apo kryetar i PS-së).

Binte në sy që periudha e” gjumit” letargjiko-politik nuk e kishte pakësuar popullaritetin e Fatos Nanos. Klientë të ndryshëm në lokal, madje edhe adoleshentë vazhdimisht i kërkonin z. Nano të bënin fotot tip “selfie” me të.

Me siguri, në ditët në vazhdim do të mësojmë edhe se çfarë u vendos, e përse u bisedua në këtë drekë pune midis miqsh të vjetër, si Deputeti Duka dhe ish-simboli i socialistëve, Nano.

/gj.th. agjencia e lajmeve "Dyrrah"/