TIRANË, 12 maj 2013 –“Kalimi i personazheve si Islami në listat e “kundërshtarit” do përmirësonte të djathtën ose në përgjithësi klasën politike përfaqësuese të Shqipërisë”, ka deklaruar Fatos Nano.
Kështu “mërgimtari i artë” i Vjenës pohon se nuk është rikthyer thjesht për të mbështetur Arben Malajn por “që votuesit të orientohen drejt përfaqësuesve të vërtetë të PS”.
Në intervistën dhënë së përditshmes “Panorama”, ish-kryetari i PS-së i emëruar nga Ramiz Alia, por edhe ish-kryeministër i kohës së komunizmit dhe pas-komunizmit, ka folur për “listën apo emrin Nano në zgjedhjet parlamentare të 2013-s”.
Në listën e ish-ministrave të tij janë tre të përjashtuar nga listat e PS-së: Agron Duka, Arben Malaj dhe Kastriot Islami, nga të cilët Malaj doli si pavarur dhe dy për të djathtën: Islami për PD-në dhe Duka për PR-në.
Ndërkaq, nuk kanë mundur të rikandidojnë si të pavarur apo pranë partive të tjera dhe dy ish-ministra të Nanos, Ilir Gjoni dhe Marko Bello, që janë shprehur ashpër kundër Edi Ramës.
Nga ana tjetër, ish-punonjësi i Nexhmije Hoxhës në Institutin e Studimeve Markiste-Leniniste të PPSH, që i fali titullin bashkëpunëtor shkencor, Fatos Nano, provokon me një gjuhë të rëndë: “emrat me përvojë politike 20-vjeçare që nga Gramoz Ruçi, Pandeli Majko e Bashkim Fino e të tjerë, paradoksalisht sillen si kufoma politike që gëlltisin pilula të helmatisura që do të kenë efekte shumë negative më 23 qershor, kur publiku dhe militantët do t’i nxjerrin si jashtëqitje”.
Bie në sy se Ruçi, Majko e Fino nuk janë prononcuar kundër ish-shefit të tyre.
Për Nanon “nuk është e rëndësishme zhvendosja e votave”.
Thjesht ka ardhur për t’u shfryrë: “me nevojën e refuzimit me votë të interesave të klaneve”.
/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





