Gazetari Mustafa Nano ka hequr dorë nga jeta prej diplomati. 6 muaj pasi mori zyrtarisht detyrën si ambasador në Zvicër, flitet se ai ka dhënë dorëheqjen nga detyra.

Nano ishte mes shumë personaliteteve që propozoi qeveria në pranverë për emërime në disa seli diplomatike. “Do doja të ishte një moment i veçantë në jetën time. Shpresoj që puna të jetë interesante. Në Zvicër ka një rreth të madh shqiptarësh. Do të mbaj fokus të veçantë te detyra ime. Unë kam vendosur të jem më aktiv se ambasadorët e tjerë në botë. Unë do doja të isha më aktiv. Do doja që roli i ambasadorit të ishte më i madh. Do kuroj marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Zvicrës”, – shprehej ai në atë kohë.

Por gazetari shqiptar në Gjenevë, Nefail Maliqi shkruan në rrjetet sociale se Nano ka dorëzuar dorëheqjen. “Zvicra mbetet pa ambasador shqiptar. Mustafa Nano ishte ambasador komunikativ dhe i afërt me gazetarët dhe komunitetin shqiptar. Lajmi i fundit nga Berna është se ambasadori shqiptar në Zvicër, Musafa Nano ka dhënë dorëheqjen. Ketë lajm e ka konfirmuar edhe vet ambasadori Nano për gazetën zvicerane LeCanton27.ch”, – shkruan ai.

Në fakt “LeCanton27” shkruan se Nano ka vendosur të largohet. Ai ka thënë se dorëheqja ka ardhur për arsye personale. “Mustafa Nanto duke falënderuar komunitetin shqiptar në Zvicër dhe gazetarët për bashkëpunim ka thënë: “Dorëheqja ime është diçka e natyrës personale”. Zvicra mbetet pa ambasador shqiptar dhe ende nuk dihet se kush do të zëvendësojë Nanon”, – shkruan media në fjalë.

Nga ana e qeverisë nuk ka asnjë konfirmim zyrtar. Emërimi i Nanos në këtë post bëri shumë bujë, pasi ai u shkëput nga bota mediatike.