Karim Benzema ishte vendimtar me dygolëshin e tij në ndeshjen e kthimit me Bayernin në gjysmëfinale të Championsit, duke i dhënë kualifkimin e tretë radhazi skuadrës “merengues” në finale të kompeticionit.

Por as kjo mbrëmje e magjishme në “Bernabeu” duket se nuk mjafton që ai të qëndrojë në kryeqytetin spanjoll. Francezi është vënë prej kohësh në shënjestër nga skuadra e Napoli, që pret ta bëjë gjatë verës pjesës të organikës së saj.

Francezi, pjesë e “Los Blancos” prej thuasje 9 vitesh, ka patur shumë ulje-ngritje gjatë sezonit të fundit, aq sa është kritikuar ashpër edhe nga publiku i “Bernabeut”, ndaj nuk e sheh me sy të keq largimin nga Spanja. Mësohet se gjatë ditëve të fundit ka patur kontakte me drejtuesit e Napolit, që po mendojnë të ndërtojnë një skuadër edhe më konkurruese sezonin e ardhshëm, për të thyer hegjemoninë e Juventusit, që është shumë pranë titullit të 7-të radhazi në Serinë A.

Sipas “Don Balon”, të kaltrit po përgatitin një ofertë 50 milionë euro për 30-vjeçarin, ndërkohë që presidenti Florentino Perez synon të arkëtojë 70 milionë nga kartoni i tij. Palët duket se janë ende larg në qëndrime, por me pak lëshime në të dy krahët marrëveshja është e arritshme.