Herën e fundit që ishte në tribunë për të ndjekur Juventusin, skuadër me të cilën ka mbetur tifoz, ishte me rastin e ndeshjes së fundit në kampionatin e kaluar, e cila përkoi edhe me festën e titullit kampion si dhe me lamtumirën e Andrea Barzaljit. Por nga sot, Fernando Jorente pritet që të jetë gjithashtu në tribunën e “Allianz Stadium”, por si një kundërshtar, veshur me bluzën e Napolit.

Pikërisht kështu, pasi bomberi spanjoll jo vetëm ka zbarkuar në Itali, por natën e djeshme ka hedhur edhe firmat në kontratën me të kaltrit, e cila do ta lidhë atë me rivalët më të rrezikshëm të Juves për dy vitet e ardhshme. 34-vjeçari zbarkon me parametër zero, pasi mbylli sezonin e kaluar me Totenhemin, por me të shkelur në aeroportin e Romës, ai u shpreh shumë i lumtur për kontratën me klubin e De Laurentisit:

“Jam shumë i lumtur për akordin me Napolin, por për momentin nuk mund të them asgjë më shumë. Këmbëngulja që treguan drejtuesit për mua më habiti dhe nuk mund t’i refuzoja.Do ta shoh sfidën si rival i Juves? Unë pres që të ketë spektakël në fushë dhe shpresoj që të fitojë Napoli. Më vjen keq vetëm për dëmtimin e Kielinit, sepse Xhorxho është një mik për mua dhe i uroj që të kthehet sa më shpejt”, tha Jorente.