Napoli dëshiron mbrojtësin e kombëtares shqiptare, Ardjan Ismajli.

Drejtori sportiv i të kaltërve, Meluso, e njeh mjaft mirë Ismajlin, pasi ka punuar më herët te Empoli dhe ka nisur negociatat me menaxherin e tij.

Mbrojtësi 27-vjeçar po mbyll sezonin e tij të tretë te Empoli, ku ka qenë një nga pikat më të forta të prapavijës, teksa tashmë ka pjekurinë dhe eksperiencën e nevojshme për të bërë një tjetër hap të madh në karrierë.

Media italiane bën me dije se agjenti i Ismajlit, Serxho Mezi ka qenë disa ditë më parë në ambientet e klubit të Napolit, ku edhe kanë diskutuar mbi mundësitë dhe kushtet e transferimit të mbrojtësit.

Nëse gjithçka mbyllet me sukses, atëherë Napoli sezonin e ardhshëm pritet të ketë një dyshe mbrojtëse tërësisht shqiptare, me Rrahmanin e Ismajlin, me këtë të fundit që do të ketë misionin të zëvendësojë Kim Min Jae, i cili u largua një vit më parë drejt Bayernit të Mynihut.