Elseid Hysaj hedh pas shpine lëndimin në kavilje dhe menjëherë pas testeve të specializuara te Napoli iu bashkua skuadrës në stërvitje. Fatmirësisht goditja e marrë në miqësoren ku Shqipëria u thye 2-1 nga Austria në Vjenë nuk rezultoi serioze dhe shkodrani është rikuperuar. Një lajm që vjen si lehtësim për trajnerin Maurizio Sarri, i cili rigjen titullarin në krahun e djathtë të mbrojtjes, në prag të trasfertës së të dielës në Friuli përballë Udineses.
Rikthimi i Hysajt cilësohet mjaft i rëndësishëm te Napoli, duke qenë se drejtuesi i stolit do të hedhë në fushë formacionin më të mirë, për të vijuar garën për titull me Juventusin. Ndërkohë, në stërvitjen e Hysajt me lojtarët e tjerë të skuadrës, bie në sy fakti që stafi teknik zhvilloi një stërvitje të veçantë. Seanca stërvitore është filmuar me dron nga ajri.
Trajneri Sarri i kushtoi rëndësi lëvizjeve të katërshes difensive, pjesë e së cilës është edhe ylli i ri i Kombëtares shqiptare. Më pas, teknologjia nga ajri u shfrytëzua për të vëzhguar e përmirësuar edhe lëvizjet në fushë të reparteve të tjera. Teknika e stërvitjeve me dron nuk është e re për Napolin. Prej emërimit të trajnerit Sarri në fillim të sezonit, imazhet filmike nga lartë janë shfrytëzuar gjerësisht në klub, për të studiuar me detaje manovrat e skuadrës në fazën mbrojtëse dhe atë sulmuese.