Tiranë, 5 mars 2014 – ”Jam kthyer pas 17 vtesh me një kënaqësi të madhe si një mik. Askush nuk mund ta mohojë se Shqipëria ka bërë shumë rrugë, ka ndërmarrë reforma”. Kështu u shpreh presidenti italian Giorgio Napolitano gjatë takimit me kreun e shtetit shqiptar, Bujar Nishani, duke iu referuar kështu vizitës së tij në vitin 1997, kohë kur mbante postin e ministrit të Brendshëm në qeverinë e Romano Prodit.
Nga ana e tij Presidenti Nishani falenderoi vendin fqinjë, Itali, për pritjen e emigrantëve, konsolidimin e shtetit ligjor por dhe rolin avokator në procesin e integrimit evropian. Ai bëri të ditur se gjatë këtij takimi u bisedua në mënyrë të veçantë për perspektivën europiane të Shqipërisë dhe shprehu gjithashtu, vullnetin dhe nevojën për intensifikimin e dialogut mes dy vendeve fqinje.
“E konsiderojmë statusin e vendit kandidat, si stacionin e radhës të një rruge që kërkon reforma shumë të thella dhe të plota, sidomos sa i përket reformave të sundimit të ligjit në mënyrë që të pergatitemi për hapjen e negociatave”, theksoi Nishani, teksa shprehu vendosmërinë për të bërë një ndryshim thelbësor në këtë fushë. Duhet të intesifikojmë dialogun politik duke i rritur takimet dypalëshe. Italia është një partner kyç në fushën ekonomike, ndaj dhe në këtë takim shpreha interesin për të ftuar kompanitë italiane për të investuar në vendin tonë. E sigurova Presidentin Napolitano se Shqipëria do luajë një rol aktiv, të moderuar dhe konstruktiv në rajon, duke promovuar nismat që janë ndërmarrë dhe do ndërmerren në vazhdimësi. Ne besojmë fuqishëm se ky rol konstruktiv në rajon, duhet vlerësuar në procesin e integrimit të Shqipërisë”- tha Nishani.
Në orën 16.45, presidenti italian do të takohet me kreun e Kuvendit, Ilir Meta, për të qënë pjesë e seancës jashtë radhe të Kuvendit në orën 17.00, ku do të mbajë dhe fjalën e tij.
Ndërkohë që nuk do të ketë takime me krerët e PD, për shkak se dy liderët kryesorë të saj, kryetari demokrat Lulzim Basha dhe ish-kryetari e ish-kryeministri Berisha kanë udhëtuar drejt Irlandës për të marrë pjësë në kongresin e PPE-ve.
Axhenda e takimeve do të përmbyllet në orën 17:50, ku presidenti italian do zhvillojë një takim me komunitetin italian në Shqipëri.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





