– Marketing “ndëratlantik” i pronarëve të kantinës së Durrësit, VOA: u privatizua në vitin 2000 [në kohën e Meta-Nanos], duke u përshtatur më së miri në tregjet e lira, dhe rritur cilësinë e prodhimeve për të përballur konkurrentët
DURRËS, 27 maj 2013 –Vëllezërit Koka, aq të sulmuar nga Kryeministri Sali Berisha, marrin “vizë” në SHBA me prodhimet e kantinës së tyre "Gjergj Kastrioti Skënderbeu", sa që i reklamon një ent publik radio-televiziv me rëndësi globale si Zëri i Amerikës (VOA, inicialet në anglisht), me drejtor z. Elez Biberaj, miku i kreut të Ekzekutivit shqiptar.
Në emisionin e së dielës, 26 maj 2013, në VOA (zeriamerikes.com/content/prodhimet-tradicionale-shqiptare/1668731.html) jepet një lajm-reklamë prej 3 min e 23 sek në video i titulluar “Prodhimet tradicionale shqiptare”, me nëntitullin “Kantina e verërave "Gjergj Kastrioti Skënderbeu" vazhdon të prodhojë markat e saj të njohura të verës dhe konjakut qysh nga vitet 30”.
Tërheq vëmendjen dhe rastësia se, fill pas një lajmit për deklaratën anti-Arvizu në Elbasan të Berishës për KQZ-në, Zëri i Amerikës glorifikon prodhimet alkoolike të vëllezërve durrsakë.
Sipas VOA-s, kantina e verërave "Gjergj Kastrioti Skënderbeu" vazhdon të prodhojë markat e saj të njohura të verës dhe konjakut qysh nga vitet 30, duke zgjeruar praninë në Shqipëri dhe në rajon. Pranë kantinës shtrihen edhe disa dhjetëra hektarë vreshta, të cilat garantojnë freskinë e prodhimit vendas.
Në reportazhin-reklamë vihet në dukje se “nga një kompani shtetërore për shumë dekada qysh nga mesi i viteve 90 në Shqipërinë e izoluar, kantina Skënderbeu u privatizua në vitin 2000 [nga vëllezërit Leonard dhe Lefter Koka në kohën e qeverisjes socialiste të Ilir Metës dhe Fatos Nanos], duke u përshtatur më së miri në tregjet e lira, dhe rritur cilësinë e prodhimeve për të përballur konkurrentët” dhe se “privatizimi i riktheu gjallërinë kantinës dhe shumëfishoi prodhimin”.
Përkundrejt spekulimeve, prania në Zërin e Amerikës i jep kredibilitet sidomos z. Lefter Koka për një bis në anëtarësimin në parlamentin shqiptar.
“Dyrrah”-u ka nxjerrë faksimile nga reklama e VOA-s.
/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





