29 korrik 2015 – Kreu i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, ka treguar se si e përballon fenomenin “Nard Ndoka filozof” të rrjeteve sociale që tashmë vazhdon prej disa vitesh, duke u shprehur se shpesh është ndjerë i bezdisur. Madje, Ndoka thotë se ato janë të orkestruara nga politikanë të veçantë vetëm për ta denigruar.
“Në rrjetet sociale ka pasur një tendencë dashakeqe të personave anonimë, duke abuzuar me “lirinë”, që ofrojnë këto rrjete sociale, me mungesën e një ligji për mbrojtjen e personalitetit të çdo personi. Shpeshherë është kaluar edhe limiti, por nuk u kam dhënë shumë rëndësi, për faktin se kemi të bëjmë me një fenomen negativ që po përhapet me shpejtësi, e që në shumë raste denigron figurën e kujtdo që guxon të përballet. Është kostoja e të qenit një figurë publike.
Gjithsesi ky titull (titulli Akademik Nderi që mori në Itali) është një përgjigje për të gjithë ata anonimë, që nuk u lodhën duke “hapur” faqe false në emrin tim në rrjete sociale, se “filozofi” anonim në faqet e tyre, është një “Akademik Efektiv Nderi” real dhe i vlerësuar nga institucionet ndërkombëtare. Puna ime, rezultatet, perfomanca, bashkëpunimi, prezenca në politikë, janë më të rëndësishme, se batutat shpeshherë të “gatuara” keq në rrjetet sociale, me tendencë denigruese”, rrëfehet Ndoka.
I pyetur nga gazetarja se sa e ka ndihmuar fenomeni ‘Nard Ndoka’ i internetit në popullaritetin e tij, deputeti pranon se është e vërtetë që e ka ndihmuar edhe ky fakt, sidomos te brezi i ri.
“Po ecja një ditë në këmbë me dy miq të mitë, që kanë qenë aktivë për disa vite në politikë, por tashmë nuk janë shumë aktivë. Më ndaluan dy djem (adoleshente) dhe më kërkuan të bënin një foto me mua. Unë iu ofrova që të dilnim së bashku me miqtë e mi, por ata refuzuan, duke më thënë “se këto ‘xhaxhat’ nuk i njohim fare”! Kjo është pjesa, që të ndihmon në popullaritet te një kategori e veçante, që nuk kanë lidhje dhe nuk e ndjekin politikën, e as nuk ju intereson ajo. Si natyrë nuk jam tip i mbyllur, i marr me sportivitet gjërat edhe kur dikush mendon, se mund të ndjehem keq.”
Deputeti karizmatik e tregon hapur që shpeshherë ka ndjerë dhe bezdi nga ky fakt, sidomos në raport me familjen dhe me të afërmit, por sipas tij e gjithë kjo është e gatuar politikisht, dhe pret që një ditë do të lodhen ose do e kuptojnë se po veprojnë gabim.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/