21 nëntor 2014 –  Në Burgun “Due Palazzi” të Padovës është thelluar skandali i gardianëve të përfshirë në shkelje flagrante të ligjit. Numri i të arrestuarve ka shkuar në 31, nga të cilët 6 janë gardianë me shërbim brenda burgut, ndërsa 48 persona të tjerë dyshohen se kanë lidhje me skandalin. Burgu ishte shndërruar në parajsë për të burgosurti. Mjafton të paguaje dhe në qeli të vinte hashash, kokainë, heroinë, ekstazi, telefon cellular, mp3, USB e lap-topë sipas dëshirës. Gardianët paguheshin me pare në dorë ose me drogë. Disa prej gardinëve ndiznin cigare hashashi edhe gjatë orarit të punës, në korridoret e burgut apo në dhomat e personelit roje. Në disa raste gardianët mbushnin hundët me kokainë të cilësisë së lartë të ofruar gratis nga të burgosurit. Disa nga mafiozët dhe kamorristët më të rrezikshëm, që i nënshtroheshin një rregjimi të rreptë izolimi të quajtur 41 BIS, në fakt gëzonin të njëjta “privilegje “ d.m.th. drogë, telefon celular, latop me skype, duke arritur, që nga brenda burgut të drejtonin operacione të rëndësishme trafiku droge apo të urdhëronin edhe vrasje. Këtë trafik brenda burgut e drejtonin tre kapo. I pari ishte Adrian Patosi, që kishte blerë kryegardianin Pietro Rega dhe e përdorte si zarin e vet, madje duke e detyruar të furnizonte me heroinë edhe  Antonio Fiocco-n avokatin e Patozit.

I dyti ishte Domenico Morelli një nga figurat kyce të Kamorrës napoletane, ndërsa i treti ishte i brugosuri Sigismondo Strisciuglio, që më parë ishte bosi i mafies së Bari Vecchio-s (pjesa antike e qytetit të Barit), një nga figurat kryesore të Sacra Corona Unita-s, mafies puljeze. Gjithsesi dy italianët ishin të detyruar të bashkëpunonin me patjetër me Adrianin, në mënyrë që futja e sendeve të ndaluara në burg të vazhdonte pa telashe. Prokurori Sergio Dini i Prokurorisë së Padovës shprehet se Burgu i Padovës për nga pikëpamja e sigurisë më shumë i ngjan një burgu shqiptar, se sa një burgu të një vendi anëtar të BE-së.

/gj.th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/