SHBA – Shkencëtarët e NASA-s deklaruan se do të shkatërrojnë dy sondat Ebb dhe Flow, në bordin e të cilave ka mbaruar tashmë karburanti, duke i përplasur ato me sipërfaqen e satelitit natyror të Tokës – Hënën.
Aparatet kozmike duhet të përplasen me Hënën më 17 dhjetor. Shtëllunga e gazit dhe e fragmenteve të aparateve kozmike që do të formohet në mënyrë të pashmangshme pas përplasjes së sondave me Hënën, do të analizohet për evidentimin e pranisë së ujit në të dhe substancave të tjera të paqëndrueshme.
Si rezultat i punës së sondave shkencëtarët kanë përpiluar hartën më të saktë të fushës gravitacionale të Hënës, me ndihmën e së cilës ata shpresojnë të zbulojnë detaje të strukturës së brendshme të satelitit të Tokës si dhe të verifikojnë disa hipoteza rreth lindjes dhe evoluimit të Hënës.