Pas përmbytjeve të mëdha që ndodhën më 4 korrik në Teksas, ku humbën jetën 119 persona dhe afro 200 të tjerë rezultojnë të zhdukur, NASA ka vendosur të ofrojë ndihmë duke dërguar dy avionë me teknologji të lartë për të ndihmuar ekipet e shpëtimit dhe kërkimit.

WB-57 i NASA-s, i pajisur me kamera me teknologji të avancuar, po fotografon dhe merr pamje ajrore të zonave të përmbytura për të ndihmuar në gjetjen më të shpejtë të njerëzve dhe vlerësimin e dëmeve. Këto pamje do t’u shërbejnë grupeve të kërkimit për të përgatitur raporte më të shpejta dhe më të sakta.

Ndërsa avioni i dytë përdor teknologjinë UAVSAR  një radar shumë i saktë që mund të krijojë pamje edhe kur satelitët nuk arrijnë për shkak të reve ose mbulesës bimore. Kjo teknologji lejon zbulimin e ujit edhe përmes bimësisë dhe do të përdoret për të mbledhur të dhëna deri në fund të javës.

Zyrtarët thanë se të gjitha të dhënat do të ndihmojnë ekipet e shpëtimit dhe autoritetet që të kuptojnë se sa dëme janë shkaktuar dhe si mund të ndihmohen më mirë njerëzit. NASA do të krijojë gjithashtu harta të detajuara për përmbytjet dhe dëmet, të cilat do të publikohen në faqen zyrtare te fatkeqësive të NASA-s sapo të bëhen të disponueshme.