Astronomët kanë siguruar foton e parë të fushës magnetike të një vrime të zezë, pikërisht vrimës së zezë të galaktikës M87, që ndodhet 55 milionë vite dritë larg.

Imazhi është siguruar nga “Event Horizon Telescope EHT”, që ka kapur edhe një tjetër shkrepje të famshme, atë të vrimës së parë të zezë, 2 vjet më parë, shkruan “Scitech Daily”.

Në të dyja rastet studiuesit punuan duke lidhur bashkë tetë teleskopë nëpër botë për të krijuar një teleskop virtual me madhësinë e Tokës, pikërisht “Teleskopin Event Horizon”. Gjithashtu u përdorën 66 antenat e radioteleskopit “Alma”, të Observatorit të Evropës Jugore (Eso).

Në këtë mënyrë, teleskopi virtual EHT bëri të mundur dallimin nga Toka të një objekti me dimensionet e kartës së kreditit në sipërfaqen e Hënës.

Imazhi i fushës magnetike rreth vrimës së zezë, ndihmon për të kuptuar se si grimcat arrijnë të shtrihen dhe përhapen përtej galaktikës.

Vëzhgimet japin informacion të ri në lidhje me strukturën e fushave magnetike pak jashtë vrimës së zezë. Ekipi zbuloi se vetëm modelet teorike që shfaqin gaz të magnetizuar fort mund të shpjegojnë atë që po shohin në horizontin e ngjarjes.