Agjencia amerikane e hapësirës, NASA ka reaguar pas deklaratave të yllit të televizionit Kim Kardashian, e cila tha se misioni hapësinor i vitit 1969 për të zbritur njeriun e parë në Hënë “nuk ka ndodhur”.
“Po, kemi qenë në Hënë më parë… plot gjashtë herë!”, shkroi në rrjetet sociale administratori i përkohshëm i NASA-s, Sean Duffy, duke iu përgjigjur pretendimeve të saj.
Kardashian bëri komentet gjatë episodit më të fundit të serialit të saj të njohur The Kardashians, ku i tha aktores Sarah Paulson se besonte që zbarkimi në Hënë ishte “i rremë”.
Teoritë konspirative që vënë në dyshim nëse njeriu ka shkelur vërtet në Hënë vazhdojnë të qarkullojnë prej më shumë se 50 vitesh, pavarësisht se janë hedhur poshtë vazhdimisht nga shkencëtarët dhe ekspertët, veçanërisht me përhapjen e rrjeteve sociale.
Pas transmetimit të episodit, Duffy e etiketoi Kardashian-in në një postim në rrjetin X, duke hedhur poshtë pretendimet e saj dhe duke promovuar programin aktual të NASA-s për eksplorimin e Hënës, Artemis, që synon rikthimin në Hënë “nën udhëheqjen e Donald Trump”.
“Fitum garën e fundit hapësinore dhe do ta fitojmë edhe këtë”, shkroi ai.





