Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, mohoi përdorimin e një arme zanore gjatë protestave të 15 marsit në Beograd, duke pretenduar se edhe ekspertët e NASA-s e kishin konfirmuar një gjë të tillë. Megjithatë, një verifikim nga media serbe N1 ka nxjerrë në pah të kundërtën.

E pyetur nga N1, NASA ka deklaruar se nuk ka asnjë informacion mbi ngjarjet në Beograd dhe nuk ka analizuar ndonjë material në lidhje me pretendimet e Vuçiçit. Përgjigja zyrtare erdhi nga Elizabeth Shaw, eksperte e komunikimit strategjik në NASA, e cila u shpreh qartë se agjencia nuk është përfshirë në ndonjë analizë apo hetim për këtë çështje.

Kjo deklaratë rrëzon pretendimet e presidentit serb, i cili, në një konferencë për shtyp në Bruksel, i quajti raportimet mbi përdorimin e një arme zanore “trillime” dhe tha se “edhe NASA e kishte konfirmuar se një gjë e tillë nuk kishte ndodhur”.

Për më tepër, Jonathan Moore, një emër që Vuçiç e përmendi si referencë për analizat mbi incidentin, nuk është ekspert në fushat përkatëse, por një ish-diplomat amerikan i angazhuar më parë në Ballkan dhe në hetimet për të ashtuquajturën “Sindroma e Havanës”.