Shkencëtarët e NASA-s kanë zbuluar një fenomen të pazakontë në një akullnajë në Norvegji, që është përshkruar si një “zemër e kuqe” për shkak të formës dhe ngjyrës së saj në pamjet grafike të publikuara.
Prej disa vitesh, NASA monitoron lëvizjen e akullnajave në ishullin Edgeøya, në arkipelagun Svalbard të Norvegjisë, veçanërisht akullnajën Stonebreen. Zona është pothuajse e pabanuar dhe karakterizohet nga masa të mëdha akulli që ndryshojnë gjatë gjithë vitit.
Ngjyra e kuqe që shihet në grafikë nuk është ngjyra reale e akullit, por një mënyrë vizualizimi që NASA përdor për të treguar ndryshimet në lëvizjen e akullnajës. Këto ndryshime përshkruhen si “pulse” sezonale, ngadalësim gjatë dimrit dhe pranverës dhe përshpejtim në fund të verës, kur akulli lëviz drejt detit me shpejtësi që mund të kalojnë 1.200 metra në vit.
Sipas ekspertëve, përshpejtimi gjatë verës shkaktohet nga uji i shkrirë që depërton deri në bazën e akullnajës, duke e bërë atë të rrëshqasë mbi sipërfaqen shkëmbore. Sa më i errët të shfaqet akulli në grafikë, aq më e madhe është lëvizja e regjistruar.
Stonebreen konsiderohet një “akullnajë rrëshqitjeje” (surge glacier), një fenomen relativisht i rrallë që karakterizohet nga periudha të gjata stabiliteti të ndjekura nga lëvizje të shpejta për një kohë të shkurtër. Vetëm rreth 1% e akullnajave në botë i përkasin këtij lloji.
Sipas NASA-s, deri para vitit 2023 akullnaja kishte shfaqur rritje të shpejtë për shkak të shkrirjes, duke ruajtur një ritëm sezonal lëvizjeje. Megjithatë, që nga viti 2023 ajo është stabilizuar dhe ka hyrë në një fazë qetësie, me vetëm lëvizje të lehta gjatë verës.
Ekspertët theksojnë se këto “pulse” sezonale të akullnajës ngjajnë me rrahjet e zemrës, duke i dhënë fenomenit edhe emrin simbolik “zemra e kuqe”.





