TIRANE, 13 janar 2014 – Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, në një intervistë për gazeten “Panorama” e shikon si një “mision të pamundur” t’i propozojë Presidentit të Republikës faljen e Nazime Vishës. Kreu i Drejtësisë shprehet se ligji i faljes lë hapësirë vetëm për faljen e të dënuarve për kundërvajtje apo vjedhje.
Sipas tij, në rastin e 19-vjeçares së dënuar për “vrasje me paramendim”, Presidenti i Republikës duhet të shfrytëzojë të drejtën që i jep Kushtetuta për falje.
“Në rastin e Nazime Vishës, një rast specifik për shkak të disa kërkesave publike të njerëzve të nderuar, intelektualë të letrave, të historisë, deputetë, të cilët e shikonin si një rast që duhet ndërhyrë dhe e vetmja mundësi ishte e drejta e faljes, në kërkesën që i kam drejtuar Presidentit i kam kërkuar që të shfrytëzojë drejtpërdrejt nenin 92 të Kushtetutës së Shqipërisë, pasi vetë ligji, neni 5 dhe 6, ka kufizime të tilla që nuk e lejojnë as ministrin dhe as presidentin që të ndërmarrë një vendim të tillë. Prandaj e kam parashikuar në programin analitik, si pjesë e reformave që duhen bërë do të jetë edhe ligji për faljen”,- deklaroi ministri.
Dosja e kërkesës për faljen e Nazime Vishës ndodhet tashmë në Presidencë. Eshtë kreu i shtetit që me fuqinë që i jep ligji dhe Kushtetuta do të japë verdiktin përfundimtar. Emisioni "Studio e Hapur" i Eni Vasilit, ku u publikua nisma Kadare & Agolli për faljen e Nazime Vishës iu drejtua me një letër të hapur Presidentit të Republikës në prag të festave të ndërrimit të viteve, që të tregojë një gjest mirësie dhe humanizmi, duke e falur vajzën.





