Në Hollywood nuk ka natë më të madhe se ajo e Oscarëve. Edicioni i 98-të i Academy Awards 2026 do të mbahet në Dolby Theatre në Los Angeles këtë mbrëmje, mes 15 dhe 16 marsit.
Ceremonia organizohet nga Academy of Motion Picture Arts and Sciences dhe do të prezantohet sërish nga komediani Conan O’Brien, për të dytin vit radhazi. Nominimet u shpallën më 22 janar në Samuel Goldwyn Theater në Beverly Hills nga Danielle Brooks dhe Lewis Pullman.
Programi nis në orën 00:15 dhe do të zgjasë disa orë, duke shoqëruar publikun deri në agim me shpalljen e filmave dhe artistëve më të mirë të vitit.
Do të ndahen 24 çmime, por statuja do të jenë edhe më shumë se kaq, pasi disa çmime janë kolektive, si në produksion apo skenar.
Një mënyrë për të qenë të përgatitur është të shohim listën e dhjetë titujve të nominuar për kategorinë e Filmit më të Mirë, e cila prej vitesh është zgjeruar për të përfshirë edhe tituj më komercialë si F1 apo ndërkombëtarë si Sentimental Value dhe The Secret Agent.
Filmat kryesorë të nominuar:
Bugonia – Yorgos Lanthimos, me Emma Stone, Jesse Plemons
Filmi i regjisorit Yorgos Lanthimos, titulli i të cilit i referohet një miti të lashtë grek (që imagjinon bletët të krijuara nga kufomat e buajve), është një histori mbi teoritë e konspiracionit dhe një ribërje e filmit korean Save the Green Planet!.
Dy kushërinj bletarë (të luajtur nga aktorët Jesse Plemons dhe Aidan Delbis) rrëmbejnë drejtoreshën e një kompanie të madhe farmaceutike (e luajtur nga Emma Stone), të bindur se ajo është një aliene që dëshiron të shkatërrojë Tokën.
Ata i rruajnë flokët për ta penguar të komunikojë me planetin e saj dhe e marrin në pyetje për ta detyruar të pranojë identitetin e saj. Një film radikal që mbështetet te talenti i protagonistes, e cila është nominuar për çmimin e aktores më të mirë. Filmi është i nominuar për 4 Oscar.
F1 – Brad Pitt, Javier Bardem
“F1” i referohet Formula One. Historia ndjek rikthimin e një kampioni të dikurshëm. Sonny Hayes (i luajtur nga Brad Pitt), i quajtur “më i madhi që nuk ka ekzistuar kurrë”, ishte talenti më premtues i viteve ’90 derisa një aksident i dha fund karrierës së tij.
Tridhjetë vjet më vonë ai është një pilot nomad, derisa ish-shoku i skuadrës Javier Bardem e fton të shpëtojë ekipin e tij nga falimentimi. I nominuar për 4 Oscar.
Frankenstein – Guillermo del Toro, me Oscar Isaac, Jacob Elordi
Regjisori meksikan fitues i tre çmimeve Oscar, Guillermo del Toro realizon më në fund projektin që e ndiqte prej 25 vitesh, një adaptim i romanit të vitit 1818 Frankenstein. Shkencëtari Dr. Viktor Frankenstein (i luajtur nga Oscar Isaac) krijon një qenie njerëzore ( të luajtur nga Jacob Elordi) që shoqëria e refuzon dhe që është i vështirë të kontrollohet. Pjesa e parë tregohet nga këndvështrimi i shkencëtarit, ndërsa e dyta nga sytë e përbindëshit. Shfaqet në Netflix. I nominuar për 9 çmime Oscar.
Hamnet – Chloe Zhao, me Jessie Buckley.
Filmi i regjisores fituese të çmimit Oscar, Chloé Zhao, është i bazuar në romanin e Maggie O’Farrell. Ky film imagjinon historinë emocionale pas krijimit të Hamlet-it nga William Shakespeare. Jessie Buckley luan Agnes-ën, bashkëshorten e Will-it, e cila përballet me humbjen e djalit dhe mënyrën si burri i saj e përpunon dhimbjen përmes artit. I nominuar për 8 çmime Oscar.
Marty Supreme – Josh Safdie, me Timothée Chalamet, Gwyneth Paltrow
Timothée Chalamet stërvitej për shtatë vjet për rolin e Marty Mauser, një gjeni i ping-pongut me ego të madhe. Filmi i Josh Safdie është një udhëtim nga Nju Jorku i viteve ’50 në Kajro, Tokio dhe Paris, mes mashtrimeve, basteve dhe ambicieve të mëdha. Në film shfaqet edhe Gwyneth Paltrow si një ish-divë e Hollywood-it. I nominuar për 9 çmime Oscar.
One Battle After Another – Paul Thomas Anderson, me Leonardo DiCaprio
Komedia politike e Paul Thomas Anderson, e bazuar në romanin e Thomas Pynchon, tregon historinë e një babai (të luajtur nga Leonardo DiCaprio) që kërkon vajzën e rrëmbyer në një Amerikë të polarizuar. Një grup ish-revolucionarësh ribashkohet për ta shpëtuar atë. I nominuar për 14 çmime Oscar.
The Secret Agent – Kleber Mendonça Filho, me Wagner Moura
Regjisori Kleber Mendonça Filho sjell një portret të fuqishëm të diktaturës në Brazil. Historia zhvillohet në vitin 1977. Marcelo (Wagner Moura), një ekspert teknologjie në arrati, mbërrin në Recife gjatë karnavaleve dhe shpreson të ribashkohet me djalin e tij, por zbulon se qyteti nuk është më strehimi paqësor që imagjinonte. I nominuar për 4 çmime Oscar.
Sentimental Value – Joachim Trier, me Renate Reinsve, Stellan Skarsgård
Regjisori norvegjez Joachim Trier rikthen në qendër të historisë Renate Reinsve si një aktore e re që ka jetuar larg babait të saj regjisor (Stellan Skarsgård). Kur ai përpiqet të afrohet me vajzat pas vdekjes së bashkëshortes dhe i kërkon të luajë në filmin e tij, dalin në pah konfliktet e vjetra familjare. I nominuar për 9 çmime Oscar.
Sinners – Ryan Coogler, me Michael B. Jordan
Filmi horror i vendosur në Missouri në vitin 1932 trajton dhunën dhe racizmin. Michael B. Jordan interpreton dy vëllezër binjakë, Smoke dhe Stack, që kthehen në qytetin e tyre për një fillim të ri, por përballen me një të keqe edhe më të madhe. Regjisori Ryan Coogler rikthehet me filmin që ka thyer rekordin e nominimeve. I nominuar për plot 16 çmime Oscar.
Train Dreams – Clint Bentley, me Joel Edgerton
Joel Edgerton luan një druvar në Amerikën rurale të fillimit të shekullit XX që punon në ndërtimin e hekurudhave që lidhin zonat më të largëta të vendit. Një film melankolik me peizazhe të bukura, i regjisorit Clint Bentley, që trajton ndryshimet e mëdha shoqërore përmes një historie personale tragjike. Shfaqet në Netflix. I nominuar për 4 çmime Oscar.





