Një mbrëmje letrare e ndërthurur me lexime poezish, dramatizim tregimesh, kritika letrare etj.
Nata e dytë e Festivalit Veror të Librit ishte përqendruar tek dy autorët durrsakë, që me prozën dhe poezinë e tyre kanë surprizuar jo pak lexuesin, Rei Hodo dhe Loer Kume.

E ndërsa nata nisi këndshëm me interpretimin e disa prej poezive të vëllimit “Apricus”, autori Rei Hodo shpjegoi se pse asnjë nga poezitë e tij nuk ka titull, një zgjedhje që pak ndeshet në letërsinë tradicionale.

Studiuesja Flora Dervishi vlerësoi poezinë e Hodos, duke nënvizuar optimizmin që ai përcjell përmes vargjeve.

Në këtë mbrëmje, shkrimtari dhe dentisti Loer Kume kishte zgjedhur të vinte ndryshe për publikun, këtë herë nën petkun e aktorit.

Së bashku me aktorët Adelina Muça dhe Marvin Tafaj, ai solli të dramatizuar një nga tregimet e librit “Amygdala Mandala”.

Gazetarja Vali Qyrfyçi, në analizën e saj për prozën e Kumes nënvizoi faktin se tregimet e tij nuk kanë koordinata të qarta në hapësirë dhe personazhet shformësohen për t’u rishfaqur sërish.

Vetë Kume theksoi se të gjitha tregimet e tij i lidh një fill i hollë, pikërisht amygdalat tona.

Nën moderimin e bibliografes Teuta Dhima dhe kurimin artistik në çdo detaj të regjisores Driada Dervishi, mbrëmja letrare ishte një himn për letërsinë e mirë dhe shkrimtarët e rinj durrsakë.

M.B.