“Nata e falenderimeve” ishte koncerti festiv i fundvitit, që bëri bashkë në skenën e teatrit të Durrësit disa nga këngëtarët më të njohur të muzikës së lehtë dhe popullore shqiptare.
Të mirënjohurve Myfarete Laze, Bashkim Alibali, Kozma Dushi e Liljana Kondakçi iu bashkangjitën në skenë me repertorin më të mirë ndër vite këngëtarët e afirmuar të skenës durrsake si Ylli Çifti, Hysni Allushi, Xhesika Gjini etj.
Publiku në sallë pati mundësi për më shumë se një orë të shijonte dhe duartrokiste disa nga hitet e shumë viteve më parë, që kanë mbetur të rrënjosura në memorien kolektive të artdashësve.
“Publiku durrsak është publik shumë simpatik. Ngaqë është “Nata e falenderimeve” i falenderova me zemër ata”,– tha ndër të tjera Bashkim Alibali.
“Kjo natë është e veçantë, sepse është “Nata e falenderimeve”. Ishte dasht shumë që njerëzit me dit me falenderu, me e pas t’leme mirënjohjen”,- shtoi një nga yjet e muzikës shqiptare, Myfarete Laze.
Për këngëtarin e njohur të muzikës popullore durrsake, Ylli Çifti, ky koncert me këngë të traditës është një buqetë e bukur festive për admiruesit e muzikës së mirë.
Koncerti i ideuar nga regjisori Haxhi Rama dhe shkrimtari Ardi Omeri arriti të përcjellë tek publiku durrsak emocione dhe mjaft nostalgji për disa nga këngët që tashmë kanë hyrë në repertorin e artë të muzikës shqiptare.
M.B.