Ndërrimi i viteve në Durrës pritet të festohet me koncert në shesh dhe spektakël fishekzjarresh.
Sipas njoftimit të publikuar nga bashkia Durrës dhe Autoriteti Portual Durrës, nuk janë autoritetet vendore ata që kanë menduar për çastet kulminante të festës por kompania nga Emiratet e Bashkuara Arabe që do të ndërtojë portin turistik.
Kompania e Muhamed Alabar, që në njoftim e prezanton veten si më të mirët e Dubait, bën të ditur se koncerti që do të mbahet pranë Shëtitores “Taulantia”, do të shoqërohet nga “lumë” fishekzjarresh.
“Më datë 31 Dhjetor 2021, në orën 23:00 pranë Shëtitores “Taulantia”, (Vollga, Durrës) nis koncerti i muzikës shoqëruar me një spektakël mahnitës fishekzjarresh, organizuar nga më të mirët e Dubait.
Mos e humbisni këtë festë të papërsëritshme!”,- shkruhet në njoftim, i cili shoqërohet edhe me një video ku shfaqet ndërtesa ikonike e Dubait, Burj Khalifa, ndërsa nis numërimi mbrapsht drejt vitit 2022.
Ndërkohë, detaje të mëtejshme se cilët janë këngëtarët pjesëmarrës në koncert nuk bëhen të ditura.





