Atmosfera e festave të fundvitit nuk ndihet vetëm në sheshin qendror dhe rrugët kryesore të Durrësit, por ajo ka zbritur edhe në lokalet dhe restorantet e qytetit.

Ndryshe nga sezoni veror, kur Durrësi mbipopullohet me pushues, në këtë periudhë të vitit fluksi është më i pakët.

Por strukturat akomoduese janë shumë të kënaqura me rezervimet, sidomos ato të natës gala të Vitit të Ri, ku ofrohet një menu e përzgjedhur me mjaft kujdes, muzikë live me këngëtarët më të mirë të momentit, numra humori, si dhe shumë surpriza të tjera.

Pjesa më e madhe e qytetarëve që nuk do t’i kalojnë festat në shtëpi kanë rezervuar jo vetëm mbrëmjen gala, por edhe qëndrimin në hotel.

Periudha e pandemisë me kufizimet e saj duket se është lënë pas, pasi ndryshe nga vitet e kaluara, rezervimet kanë nisur shumë herët.

I karakterizuar nga një rritje e konsiderueshme çmimesh, viti 2022 duket se po largohet me një situatë pak më të stabilizuar. Dhe kjo reflektohet edhe në paketën turistike të natës së ndërrimit të viteve, që sipas menaxherëve të restoranteve dhe hoteleve nuk kanë pasur ndryshime.

Pas dy viteve të vështira prej tërmetit dhe pandemisë, Durrësi po rimëkëmbet ekonomikisht. Përgjatë vitit të ardhshëm priten dy investime të rëndësishme në qytet, porti turistik dhe ai tregtar, projekte këto që janë kontestuar nga opozita dhe mund të kthehen në kryefjalën e fushatës zgjedhore të 14 majit 2023.

M.B.