Tiranë, 6 shtator 2014 – Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani ka kaluar natën e parë në qelitë e paraburgimit të Drejtorisë së Policisë së Tiranës, pas arrestimit të befasishëm mbrëmjen e djeshme sapo doli nga zyra e tij në godinën e bankës në sheshin ‘Avni Rustemi’.
Paraditen e sotme guvernatorin është vizituar nga i biri, Erik Fullani i cili u bë i njohur mediatikisht pas skandalit të vjedhjes në bankën e Shqipërisë, ku nga fotot e publikuara prej tij në rrjetet sociale shihej jeta luksoze e 20 vjeçarit dhe veçanërisht një koleksion orësh të shtrenjta me vlerë disa milionë lekë.
Ai është parë të futet në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës me dy çanta në duar, që mendohet të jenë sende personale apo ushqime për të atin, ndërsa ka dalë shpejt prej këtyre ambienteve.
Nuk dihet nëse është takuar apo jo me të atin, guvernatorin Fullani. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë pritet të qëndrojë në qelinë e paraburgimit deri ditën e hënë, kur pritet të jepet edhe masa e sigurisë ndaj tij.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





