Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka reaguar në lidhje me ndarjen nga jeta të shkrimtarit të madh Ismail Kadare.
Në një postim në rrjetet sociale, Kurti shkruan se në Francë do të publikohet biseda e tij me Ukshin Hotin.
“Kushdo që e ka lexuar Kadarenë e di etjen e tij të pashuar për të munguarit e mëdhenj. Sepse Kadareja e dëshironte hetimin e çështjes. Miti i furnizoi një sërë të gjatë të munguarish, duke nisur me Kostandinin”, shkruan Kurti.
Postimi i plotë:
Nata e parë pa Kadarenë kaloi mbrëmë. Më herët e dinim që është atje diku me bibliotekën e tij, dhe, këtu te secila bibliotekë familjare nëpër shtëpitë tona. Do të lexohet edhe më shumë tash ai: që të na mungojë më pak neve që e duam, që të gjejmë më shumë veten që na duhet.
Shkrimtari ynë i madh u nda nga ne. Mbase filozofi francez, Gilles Deleuze, na thotë diçka që mund të na shërbejë për kuptimin e kësaj ndarjeje. Artisti bën një vepër artiste. Në një farë mënyre është vepra ajo që krijon përherë. Kadare nuk na la në paqen e një shoqërie të përgjumur, por na hodhi në intrigën e tij. Aty janë dhe do të jenë ende personazhet dhe situatat, gjenerali i të vdekurve dhe kako Pino, koncerti i fundit dhe pallati i dimrit të përhershëm, Broadëay i zhvendosur në Tiranë dhe hija e kineastit shqiptar në Paris, Eskili i degdisur dhe faraoni i tejvarrosur, trupi i Lul Mazrekut dhe përkthyesi i katërt, valltari i vargjeve të popullit apo autoriteti i nëndheshëm i Lasgushit… Të gjithë do të jenë aty nën paradigmën e uraganit të pandërprerë të letërsisë.
Shkrimtari i madh ka aftësinë të ndërtojë mision, dhe ky mision është vetëm stil, alegori, porosi, kolektiv kuptimi, dyshim kolektiv. Ai lidh kohët e shkrimeve, por edhe gjeografitë e prozës. Dalja e tij përtej kufijve ngjall problem, sepse ai e dyzon kufirin: e kthen nga kufi talenti në kufi politik, ose, edhe më mirë: ai përzien të tashmen me një të shkuar të dyfishtë. Andaj do të jetë sa shkëlqim edhe problem.
Si një mesazh i habitshëm mund të përmendet edhe fakti që vetëm së shpejti do të shfaqet në Francë biseda e tij e pothuaj tri dekadave më herët me të munguarin e madh Ukshin Hoti. Kushdo që e ka lexuar Kadarenë e di etjen e tij të pashuar për të munguarit e mëdhenj. Sepse Kadareja e dëshironte hetimin e çështjes. Miti i furnizoi një sërë të gjatë të munguarish, duke nisur me Kostandinin. Si të thuash: nga Konstandini te Ukshini. Kadareja e di se dhe Ukshini e ka sjellë Doruntinën e vet. Koherencë e paanalizueshme e shkrimtarit të madh.
I munguar i madh, nga dje, u bë edhe vetë Kadareja.