Mbrëmja e 13 marsit njihet nga shumëkush si Nata e Verës, ajo që i paraprin ditës së verës, momentit kur të gjithë “përshëndesin” dimrin për të pritur pranverën.
Simbolika e kësaj nate është ndezja e zjarreve dhe siç duket qartë nga fotot që po publikon “DurrësLajm” tradita po ruhet në rrethinat e qytetit, ku zjarre të shumta janë ndezur në zonën e ish-Kënetës, në Shën Vlash etj.
Ndërsa në zonën e Shën Vlashit thuajse çdo familje ndez zjarrin në oborrin e shtëpisë me dru, kashtë dhe shkurre, në zonën e ish-Kënetës janë përdorur gomat e makinave, duke shkaktuar ndotje ambientale.
Tradita e zjarreve
Zjarret e Ditës së Verës, ose kujtimet mbi këto zjarre i gjejmë në mënyrë shumë të afërt në të gjitha katundet, në ritualin e tyre të plotë edhe pse, në ditët tona dhe në shumicën e rasteve janë kthyer në lojëra fëmijësh.
Si komponente kryesore në ndezjen e zjarreve kolektive, fisnore, në bazë shtëpie a në bazë lagjeje për, Ditën e Verës, për Shëngjergj, e ndonjë festë tjetër, janë dëllinja (përcja) dhe kashta prej, misri a thekre.
Djegia e kashtës në këto zjarre nuk është një gjë e rastit; në kohën kur këto rite ishin më të plota, ajo ka pasur një kuptim e një rëndësi të veçantë.
Sipas dëshmive, më tepër zjarre ku digjej dhe kashtë ndizeshin Ditën e Verës e për Shëngjergj.
Më tepër zjarret e Ditës së Verës ndizeshin në kopsht, në oborr, në arë, por ndodhte që të ndizeshin edhe në kodra. Ka rëndësi fakti që këto zjarre duhet të ndizeshin me doemos në tokën e fisit. Siç dihet kopshti, në natyrën e tij, ruan shumë forma të bujqësisë arkaike, pra ruheshin më tepër edhe rite e zakone në lidhje me mbledhjen e bereqetit e prodhimet e kopshtit. Pikërisht në kopësht gjejmë më tepër dhe zakonin e ndezjes së zjarrit ritual, për Ditë Vere.
Është e ditur se këto zjarre në origjinë kishin qëllim t’i jepnin fuqi diellit e pastaj dielli t’i jepte forcë prodhimit të ri bujqësor. Në përgjithësi, këto zjarre kishin të bënin me ripërtëritjen e natyrës, të bimësisë në këtë stinë.
Djegia e kashtës, zjarret në kopshte, hedhja e hirit në vazhdim, kanë një kuptim simbolik të veçantë, kuptim që në popull ka humbur me kohë.
Këtu digjet ajo pjesë e kashtës (bykut) që përbën shpirtin e drithit. Po të hidhemi në kuptimin që kësaj i jepej në lashtësi kemi të bëjmë me djegien e hyjnisë së drithit me qëllim që ajo të ringjallej e të ripërtërihej me anë të hirit të saj.
Pra kjo bëhej me qëllim që forca e hyjnisë së ringjallur të kalojë nëpërmjet hirit në bimësinë e re që ta fuqizojë atë për të dhënë prodhime të mira vitin e ardhshëm.





