“Natë misterioze” premiera e regjisorit prishtinas Ben Apolloni ngre siparin mbrëmjen e sotme në orën 19:00 në teatrin “Aleksandër Moisiu” në Durrës. Për dy net me radhë artdashësit durrsakë e jo vetëm kanë mundësinë për të parë një shfaqje të arrirë, për të cilën interesi ishte shumë i lartë.

Ben Apolloni, regjisori i shfaqjes i cili për 45 ditë është mirëpritur në Durrës, tregoi edhe eksperiencën me trupën e teatrit “Aleksandër Moisiu”, në një intervistë për “DurrësLajm”. “Gjithçka është gati  që në mbrëmje të ngremë siparin e shfaqjes. Është në mesjavë dhe kam vënë re që interesi i publikut ëhstë shumë i lartë. I mirëpresim sepse kemi realizuar me shumë përkushtim dhe dashuri një shfaqje të bukur që do të mbajë pezull deri në frymën e fundit publikun”.

Subjekti i shfaqjes të ngërthen qysh prej fillimit të saj. Ajo është një nënë e vetmuar, djali i së cilës jeton në 6 persona të tjerë. Djali i saj i ka dhuruar organet duke iu dhënë jetë 4 personave të ndryshëm.

Në mënyrë të mistershme, të katër këta persona të cilët janë në kërkim të identitetit të tyre,  mblidhen një natë në shtëpinë e atij që iu dhuroi jetën. Nëna e tij qëndron në një karrige me rrota, është person me aftësi ndryshe. A duhej që djali të dhuronte organet?

Drama, rrëfen për një takim misterioz të katër personazheve që nuk e dinë se kush janë dhe janë në kërkim të identitetit. E kjo i bën që të shkojnë në një vend misterioz, në një shtëpi misterioze dhe të takohen me personazhe të tjerë, që janë shumë misterioz. Se a do të zgjidhen gjithë këto mistere të një nate, mbetet të shihet në premierë. Mbi një dramë të tillë është mbështellë e gjithë rrëfenja e subjektit të “Natë mistrioze” me autor Ferdinand Hysin dhe e vënë në skenë nga regjisori prishtinas Ben Apolloni.

Shtatë personazhet e kësaj drame do t’i sjellin në skenë aktorët: Suela Bako në rolin e nënës, Mimoza Marjanaku, Xhejni Fama, Amos Muji Zaharia, Gjergj Doçi, Marvin Tafaj dhe Ervin Doko.

Ben Apolloni mbërriti në tearin e Durrësit “Aleksandër Moisiu” me kërkesë të drejtorit Bashkim Hoxha duke mbledhur një kastë aktorësh të njohur të skenës. 

K.H.