DURRES, 15 mars 2013Sa deputetë do të fitojë Durrësi në zgjedhjet e 23 qershorit; cilët janë disa nga emrat më të spikatur nga forumi i gruas si kandidate në listën përfundimtare; ambiciet e saj për t’u bërë deputete; qëndrimi ndaj korrupsionit janë disa nga përgjigjet që ka dhënë për gazetën “Bulevard” ish deputetja e PS në Kuvendin e Shqipërisë Natasha Paço. Ajo ka pohuar se Shqipëria nuk mund të përqafojë slloganin e PS për një Rilindje nëse nuk dënohen njerëzit e korruptuar.

Fushata elektorale ka nisur. Sa mendoni se do të fitojë PS?

Fushata elektrorale ka filluar. Kjo ndihet në çdo seksion dhe anëtarësinë e PS-së. Por ajo që ne na intereson dhe që po zhvillohet në sy të të gjithë opinionit është fakti se strukturat qëndrore dhe lokale të PS kanë vënë në efektivitet të gjitha mundësitë intelektuale për të angazhuar të gjithë elektoratin socialist dhe jo vetëm socialist në të gjithë Shqipërinë për të arritur qëllimin final që është fitorja e zgjedhjeve të 23 qershorit dhe fillimin e një punë të re me anë të Rilindjes shqiptare.

Mendoni se fitorja do i përkasë PS se ka thithur intelektualë të rinj dhe ka të gjitha mundësitë, apo se PD ka gabuar rëndë në qeverisje dhe do ia falë mandatin qeverisës PS-së?

Jo. Unë do e shikoja në një aspekt të dyanshëm. Së pari, kjo qeveri e ka mbyllur misionin e saj me turp. E them këtë për faktin se në vitin 2005 kjo qeveri erdhi me flamurin e luftës kundër korrupsionit, ndërkohë që ajo është pasqyrë e korrupsionit. Nga ana tjetër, e dyta, do e shoh si forcë e PS e cila është forcë politike progresiste dhe e njerëzve të përgjegjshëm të cilët me anë të aftësive dhe profesionalizmit janë të kërkuar që në këtë periudhë krize të kryejnë misionin e tyre, të Rilindin Shqipërinë. Është kjo forcë politike që e orientuar nga Edi Rama do e marrë përsipër këtë mision dhe shpreh bindjen se do e realizojë atë që po shpreh në takime me elektoratin në çdo cep  të Shqipërisë me programin e saj.

PS ka dalë me slloganin “Rilindje”. Mos do të thotë kjo më shumë vëmendje për prurjet e reja intelektuale dhe më pak kujdes për ata që e themeluan?

Unë e vë re që ky është një shqetësim në rrethe të caktuara njerëzish, brenda në parti, por edhe në rrethe intelektualësh. Vetë pyetja që ju drejtoni tregon se është një shqetësim. Unë do të thoja se PS i përket të gjithë socialistëve, qoftë për ata që kanë dhënë kontribute në fillimet e saj, qofshin edhe të rinj. Është aftësia e liderve  që të bëjë balancimin në mes atyre që kanë dhënë kontribut e që vazhdojnë të japin kontribut dhe prurjeve të reja pa të cilat partia nuk mund të ekzistojë, nuk mund t’i rezistojë kohës me mundësitë dhe alternativat që afron. Prandaj e theksoj se është lidershipi që duhet e do të bëjë balancimin mes prurjeve të reja më se të domosdoshme dhe  kontributeve që kanë dhënë e vazhdojnë të japin në jetën partiake. Nuk mund të themi vetëm për kontributet që kanë themeluar se ka edhe të tjerë në këtë rrugëtim politik.

Ju jeni ndër femrat intelektuale themeluese të PS. Në bazë të parashikimeve tuaja, si njohëse e zhvillimeve dhe ecurisë politike ngase keni qenë dhe jeni shumë aktive në politikë, sa mendoni se do të fitojë PS në Shqipëri?

Nuk mund të them se sa përqind fiton PS sepse nuk futen në atë pjesë që bëjnë kalkulimet, por për shkak të eksperiencës së gjatë politike e institucionale që kur kam qenë në krye të FRESH në Durrës e deri në më tani që jam antënare e Asamblesë Kombëtare, si forumi më i lartë politik mes dy kongreseve, mund të them se PSSH është parti fituese në zgjedhjet e 23 qershorit 2013.

Nëse do të vimë më pranë, në qarkun e Durrësit, nga 13 mandate sa mendoni se do të marrë PS?

Jemi parti që synojmë të marrim pushtetin. Durrësi mot e jetë, dhe këtë e them me bindje e përgjegjësi të plotë për shkak të detyrave që kam pasur, ka qenë barometri i fitores apo i humbjes së PS në shkallë vendi. Në këtë kuptim unë do të them që nga ana e lidershipit duhet të shihet me shumë kujdes edhe përzgjedhja e kandidaturave, edhe puna që do të bëhet në qarkun e Durrësit në çdo familje durrsake e krutane. Ajo çfarë unë mund të them është që PS do të marrë shumicën e mandateve në qarkun e Durrësit.

Do të thotë 7 deputetë?

Pse jo.

Me LSI apo pa LSI?

Edhe ky është problem që vadhdon e qarkullon në rrethe të ndryshme të shoqërisë shqiptare. Unë mund të them këtë: PS e Shqipërisë jo vetëm në rang kombëtar, por edhe në Durrës ka resurse të jashtëzakonshme të cilat mund të përthithin dhe mund të përcjellin fitoren e socialistëve. PS nuk është vetëm parti e socialistëve, por edhe e atyre njerëzve që janë pa bukë, pa punë, të pamotivuar, të pastrehë, e atyre që kanë humbur shpresat tek kjo qeverisje e sotme pavarësisht janë apo jo me bindjen politike të majta. Kjo kategori njerëzish ndoshta deri dje kanë votuar me shpresën për më mirë PD apo që të zhgënjyer nuk kanë votuar fare. Me punën e saj PS do i tërheqë për të bërë Rilindjen.

Çfare po ndodh e ç’do të ndodhë mes jush për aleancën me LSI-në?

Sa më shumë të jemi bashkë, aq më e sigurtë është fitorja.

Nëse do të kemi mundësi të bëjmë një llogari për ndarjen e 13 mandateve për deputët të qarkut të Durrësit, shtatë mandate thatë se i merr PS, po gjashtë të tjerat?

Të tjerat t’i ndajë LSI me PD. Si të duan ata të bëjnë me ato mandate.

Këtë listë prej shtatë kandidatësh për deputet, ndoshta disi herët për ta thënë, mund ta plotësoni me emra konkret? Ju keni përvojë politike dhe njohje shumë të mirë të kandidaturave jo vetëm të grave intelektuale.

Tradicionalisht përzgjedhja e kandidaturave është bërë nga strukturat e partisë. E them me bindje të plotë se brenda qarkut të Durrësit ka figura të cilat janë mëse të spikatura për të qenë kandidatura të PS. Ne kemi emra shumë të zotë për të përmbushur detyrimet e deputetit në Parlament jo shtatë por shumë e më shumë se kaq.  Personalisht nuk mund të them emra konkret. E rëndësishme është që përzgjedhja të bëhet (kam besim se do të bëhet) nga strukturat e partisë, nga lidershipi  i partisë në Durrës, nga lidershipi i partisë në Tiranë për të përzgjedhur nga kjo gamë e plotë intelektualësh emrat që kanë dhënë e japin më shumë kontribute për të kapur fitoren. Fitore e PS do të thotë fitore e vendit. Unë kështu e shikoj, kështu e kuptoj. Emra nuk mund të them dot sepse mund të gabojmë apo edhe të harrojmë emra shumë seriozë.

Ka emra që për një arsye apo për një tjetër gjatë mandatit të kaluar është anashkaluar nga listat dhe që ju mendoni se duhet detyrimisht të rikthehet në këtë liste për të qenë një nga 7 kandidatët fitues.

Ka shumë dhe jam e bindur se ajo shtatëshe nuk ka vend. S’ po jap emra se mund të lë ndonjë jashtë.

Si mendoni, sa do të jetë prania e femrave intelektuale në listën e PS?

Ka një hap cilësor në veprimtarinë e PS përsa i përket barazisë gjinore në vendimmarrje. Kur kam qenë deputete e Kuvendit të Shqipërisë në vitet 1997-2001 është krijuar për herë të parë komisioni për barazinë gjinore, saktësisht për gruan dhe në legjeslacionin tjetër për barazinë gjinore. Atëherë kishte vetëm shtatë gra deputete nga të gjitha forcat politike të marra së bashku, kurse në mandatin e fundit ka shumë gra. Kjo tregon se numri grave në vendimmarrje sidomos në Kuvendin e Shqipërisë ka ardhur duke u rritur. Por do të thoja se përsëri ka vend për t’u zbatuar ajo pjesë e statutit të PS por edhe e Kodit Zgjedhor në të cilin cilësohet se numri grave në Parlament duhet të jetë 30 përqind. Asnjëherë nuk kam qenë dakor me fjalët se nuk ka gra për t’u përfaqësuar në Parlament. Përderisa shoqëria shqiptare është e ndarë mes burrave dhe grave, përderisa familja është e ndarë ndërmjet burrave dhe grave, atëhere edhe organet drejtuese të një shteti duhet të jenë të ndara në mënyrë të tillë. Kjo nuk do të thotë që për shkak të numrit ne duhet të zgjedhim edhe gra të cilat nuk e meritojnë. Në Durrës dhe në të gjithë Shqipërinë ka gra intelektuale të cilat mund të jenë në listën e kandidaturave dhe në listën e kandidaturave fituese.

Kujtoni disa gra në qarkun e Durrësit me kontribut të veçantë në jetën politike dhe institucionale?

Ka pafund. Do të vlerësoja që në fillim të parën kryetare të forumit të gruas socialiste në Durrës Iliriana Kërçuku që ka qenë edhe deputete. Do të vlerësoja Hajrie Currin, Rikon, siç e themi ne, një zonjë e vërtetë e cila edhe tani që e ka lënë detyrën e kryetare së forumit të gruas vazhdon të jetë si nëna e mirë që do t’i mbledhë të gjithë së bashku. Do të vlerësoja Drita Zenelin që është kryetare aktuale e forumit të gruas. Do të vlerësoja Alda Kushin që është kryetare e forumit të gruas së rrethit të Durrësit që është nga zonjat e reja të cilat kanë dhënë kontribut që nga 2009 e do të vijojnë të japin edhe më shumë. Vlerësoj Klodin, doktoreshë Klodin për kontributin që ka dhënë gjatë këtyre katër viteve që është futur në PS dhe ka qenë deputete e PS. Ka shumë gra të cilat janë të denja për të qenë kandidatura për deputete në zgjedhjet e 23 qershorit.

Po emri juaj është në mesin e tyre?

Pa fshehur modestinë, unë kam dëshirë të jap kontributin tim. Nuk mund të kontribuosh nga jashtë por nga brenda. Kam 20 vite që shërbej në PS. Kam hyrë në moshën 22 vjeçe në këtë parti dhe vazhdoj të shërbej me të gjitha mundësitë e aftësitë. Por këtë gjë nuk e zgjidh unë personalisht. Zgjedhjen time e kam bërë përderisa kam qenë e do të vazhdoj të jem pjesë aktive në PS sa të mundem dhe gjithnjë me energji, me pasion, me dashuri për t’i shërbyer qytetarëve. Por sigurisht që janë strukturat e partisë në Durrës, strukturat e partisë së lidershipit që do të vendosin dhe ne do të jemi përkrah tyre për vendimet që do të marrin.

Ju do bëni pjesën e lobingut për të qenë jo thjeshtë në listë por në shtatëshen e kandidatëve të PS-së?

Ajo që unë vlerësoj është fakti se çfarë ndiej gjatë kësaj kohe. Ndiej siguri, respekt, mirënjohje, përkushtim , përkujdesje dhe kërshëri të plotë të miqve brenda e jashtë PD. Dhe ajo që është më kryesore të shumë grave të cilat i ndiej se i kam lobuese në kandidimin tim. Por më duhet të theksoj se çdokush ka lobingjet e veta. Kryesore është që përzgjedhja të bëhet sa më e drejtë në mënyrë të tillë që fushata të na sjellë fitore.

Si funksionojnë strukturat brenda PS? Në një fushatë të nisur dhe përballë pretendimeve të PS për të marrë pushtetin duket se ka në disa njësi përplasje të brendshme. Po në Durrës?

Në Durrës, edhe për shkak të natyrës sonë, duket e qetë megjithëse e bluajmë ndër vete. Në PS e Durrësit po punohet, ndoshta anën propagandistike e kemi disi të vakët, por mund t’u them me bindje të plotë se në njësinë e qeverisjes vendore të bashkisë Durrës si dhe në komuna e bashki të tjera të qarkut tonë po punohet me itensitet. Çështja më kryesore nuk është sot për sot se cilët do të jenë kandidaturat, se ajo gjë do të zgjidhet në momentin e duhur. Tani po merremi me ekipet që do të hynë shtëpi më shtëpi, derë më derë. Ideja është që ky program, kjo punë e madhe e bërë nga specialistë e ekspertë të PS dhe që u shpalos në Konventën Kombëtare të mund të kuptohet edhe nga bujku e blegtori i thjeshtë. E rëndësishme është që ata njerëz që kanë marrë përsipër të dërgojnë programin e PS në çdo strehë, tek çdo banor, ta përthithin vet për ta përcjellë më pas sa më bindshëm tek të tjerët. Duhet trokitur në çdo derë të familjes durrsake e krutane. Kjo kërkon punë e pasion, por duhet vlerësuar edhe si mision për t’u realizuar sa më mirë.

/gazeta "Bulevard"/