DURRËS, 17 qershor 2013 – Masakra mjedisore mbi zogjtë shtegtarë në Shqipëri është vënë në fokus të National Geographic-ut.

“Shqipëri. Një zog shtegtar, rosë marsake / marsatore [latinisht Anas querquedula] e ngordhur pluskon mbi ujë mes maketeve-gracka që duken si të gjalla.

“Këto “karrema” e joshën rosën brenda një poligoni për qitje.

“Pak qytetarë kishin armë deri sa u plaçkitën depot e armëve në mbarë vendin në vitin 1997.

“Tani Shqipëria “noton” në armë zjarri, ndërsa bregdeti është shndërruar në një habitat vdekjeprurës për zogjtë shtegtarë”.

Ky është teksti i gjatë i fotos së botuar në numrin e fundit të revistës mitike amerikane National Geographic.

Është njëra nga fotot e shumta që ilustron shkrimin e gjatë “Kënga e fundit për zogj shtegtarë” (Last Song for Migrating Birds), me shikim në Mesdhe dhe në Shqipëri.

Autor i shkrimit është romancieri i madh amerikan Jonathan Franzen.

Foton e ka realizuar reporteri i famshëm i Associated Press-it David Guttenfelder, fitues i shtatë çmimeve ndërkombëtare.

/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/