NATO dhe Ukraina do të zhvillojnë bisedime javën e ardhshme në Bruksel lidhur me sulmin më të fundit të Rusisë në Ukrainë, e cila hodhi një raketë balistike ndërkontinentale. Ambasadorët e vendeve do të takohen të martën për të diskutuar rreth goditjes në qytetin e Dnipro dhe kërkesa erdhi nga Kievi.
Zëdhënësja e NATO-s Farah Dakhlallah ka bërë të ditur se përdorimi nga Rusia i raketës balistike kundër Ukrainës nuk do ta pengojë mbështetjen e NATO-s për Kievin.
“Rusia po përpiqet të terrorizojë civilët dhe të frikësojë aleatët e Ukrainës duke përdorur raketën balistike me rreze të mesme veprimi, por kjo nuk do t’i pengojë aleatët e NATO-s të perkrahin Ukrainën,” tha ajo.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se testi i kryer nga Putin për raketën tregon një përshkallëzim të luftës.
“Përdorimi i një rakete balistike kundër Ukrainës është edhe më shumë provë se Rusia nuk ka interes për paqen. Më lejoni të theksoj: ky është tashmë hapi i dytë i Rusisë drejt përshkallëzimit këtë vit. Rusia duhet të detyrohet në paqe të vërtetë, e cila mund të arrihet vetëm me forcë. Përndryshe, do të ketë sulme dhe kërcënime ruse jo vetëm kundër Ukrainës,” u shpreh Volodomyr Zelenskiy.
Ai u shpreh se bota duhet të përgjigjet dhe se deri më tani nuk ka asnjë reagim të fortë, duke bërë që Putin të përfitojë nga kjo.