NATO-ja njoftoi të premten se ka miratuar forca shtesë për t’i dislokuar në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe – për shkak të rritjes së tensioneve.
“Ne gjithmonë do të sigurojmë që komandanti ynë t’i ketë burimet dhe fleksibilitetin e nevojshëm, në mënyrë që KFOR-i [Misioni i NATO-s në Kosovë] ta përmbushë mandatin e tij”, tha përmes një deklarate sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
Ai, po ashtu, bëri thirrje për “shtensionim urgjent” të situatës.
Tensionet në veri u rritën sërish nga 24 shtatori, kur grupe të armatosura sulmuan policinë e Kosovës, duke lënë të vrarë rreshterin, Afrim Bunjaku.
Në përleshjet që pasuan mbetën të vrarë edhe tre sulmues.
Përgjegjësinë për organizimin e sulmit e mori Millan Radoiçiq, nënkryetar i deritashëm i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë.
Thirrje Prishtinës e Beogradit për dialog
Pas mbledhjes së Këshillit të Atlantikut të Veriut të premten – ku u diskutua për situatën në Kosovë – aleatët shprehën “shqetësimin e thellë të tyre për rritjen e tensioneve në veri të Kosovës”, thuhet në deklaratë.
“Që nga maji e kemi shtuar praninë e KFOR-it. Vetëm dje, më 28 shtator, Këshilli i Atlantikut të Veriut miratoi forca shtesë për zgjidhjen e situatës aktuale”, thekson deklarata, por nuk specifikon se sa forca shtesë janë miratuar.
“Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve që urgjentisht t’i ulin tensionet. Ne vazhdojmë t’u bëjmë thirrje Beogradit dhe Prishtinës që të angazhohen në dialog, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, si e vetmja mënyrë për t’i zgjidhur çështjet e pazgjidhura dhe për të arritur zgjidhje që i respekton të drejtat e të gjitha komuniteteve. Ky është çelësi i sigurisë së qëndrueshme në Kosovë dhe stabilitetit në rajon”, thuhet po ashtu në deklaratë.
Sipas saj, Misioni i NATO-s në Kosovë vazhdon të punojë ngushtë me të gjithë aktorët relevantë në Beograd dhe Prishtinë, si dhe me Misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), me Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), me Misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë dhe me komunitetin diplomatik.