Zëdhënësja e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Oana Lungesku pas fillimit të negociatave inkuadruese të Maqedonisë në Aleancë, deklaroi për MIA-n se ngjarja e sotme është hap i rëndësishëm për Maqedoninë dhe se vendi tani ka mundësi historike të bëhet pjesë e familjes euroatlantike nëse implementohet Marrëveshja e Prespës.
“Vendi shënoi hap të rëndësishëm sot me fillimin e negociatave inkuadruese dyditëshe në selinë e NATO-s”, deklaroi për MIA-n, Lungesku.
“Negociatat e mbulojnë sigurinë, mbrojtjen, çështjet politike, juridike dhe financiare, si dhe qëllimet dhe afatet të cilat Shkupi duhet t’i plotësojë gjatë anëtarësimit dhe pas. Ky është vazhdim i punës së procesit inkuadrues, i cili filloi në korrik pas ftesës së aleatëve në Samitin në Bruksel. Shkupi ka mundësi historike ta zbatojë Marrëveshjen për emrin dhe ta dërgojë vendin në familjen euroatlantike. Kjo do të ndihmojë të konsolidohen paqja dhe stabiliteti mbarë Ballkanin Perëndimor”, deklaroi Lungesku për MIA-n.
Delegacioni i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, i udhëhequr nga zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, së bashku me Koordinatorin nacional për NATO, Stevo Pendarovski, e hapën sesionin e sotëm me ndihmës sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, ambasadorin Aleksandro Alvargonzales, dhe me ekipin e NATO-s për negociata me Maqedoninë.