Mijëra ushtarë të NATO-s po marrin pjesë në stërvitjet me artileri në pjesën finlandeze të Arktikut, që nga shumë po shihet si një sinjal për Rusinë fqinje lidhur me agresionin ndaj Ukrainës.

Në peizazhin me dëborë të rajonit Lapland të Finlandës, dëgjohen zhurmat e topave dhe raketave, ndërsa 3600 ushtarë nga Shtetet e Bashkuara, Suedia, Britania e Madhe, Franca dhe vendet e tjera anëtare të NATO-s po kryejnë stërvitjet që do zgjasin përgjatë gjithë nëntorit.

Ato janë pjesë e stërvitjes më të madhe të NATO-s me artileri në Evropë, e emërtuar Fronti Dinamik 25, që përfshin stërvitje edhe në Estoni, Gjermani, Rumani, dhe Poloni, ku marrin pjesë gjithsej rreth 5 mijë ushtarë.

Joel Linnainmaki nga Instituti Finlandës për Marrëdhënie Ndërkombëtare tha se stërvitjet masive duhet të konsiderohen si një mesazh për Rusinë, me të cilën Finlanda ndan një vijë kufitare prej 1,340-kilometrash.

“Këto stërvitje të NATO-s kanë synim t’u dëshmojnë vendeve të tjera, në këtë rast veçanërisht Rusisë, që aleanca është e bashkuar dhe në gjendje që të mbrojë anëtarët e saj”, tha ai.

Këto janë stërvitjet e para në shkallë të gjerë që po kryhen në Finlandë që kurse vendi nordik iu bashkua aleancës vitin e kaluar, pas agresionit rus ndaj Ukrainës.

Koloneli Janne Makitalo që drejton stërvitjen Dinamic Front 25 në Finlandë, tha se qëllimi kryesor është trajnimi dhe rritja e ndërveprimit operacional mes njësive të artilerisë së aleancës si dhe përgatitja e trupave për kushtet e vështira në Arktik, tani që Norvegjia, Suedia dhe Finlanda janë vende anëtarë të NATO-s.

“Sigurisht dërgohet mesazhi se jemi në gjendje të trajnohemi së bashku dhe që po forcojmë kapacitetet tona”, u tha ai gazetarëve.

“Artileria është në thelb “mbreti dhe mbretëresha” e fushës së betejës, siç e kemi parë nga përvoja e luftimeve në Ukrainë”, tha zoti Makitalo.

Ai hodhi poshtë idenë se NATO-ja mund të provokojë Moskën duke shfaqur fuqinë e saj ushtarake në prag të Rusisë.

“Kjo nuk është asnjë lloj shfaqje force”, këmbënguli ai.

“Thënë këtë, anëtarësimi i Finlandës në aleancë shtoi “280,000 ushtarë në krahun verior të NATO-s”, tha ai./VOA