Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka paralajmëruar Rusinë se çdo sulm ndaj Polonisë apo ndonjë vendi tjetër anëtar të aleancës do të përballet me kundërpërgjigje “shkatërruese”.
Gjatë një vizite zyrtare në Varshavë, Rutte u shpreh qartë se NATO është e gatshme të mbrojë çdo territor të saj. Kryeministri polak, Donald Tusk, theksoi se vendi i tij duhet të jetë i përgatitur për çdo skenar që mund të dalë nga negociatat mes SHBA-së dhe Rusisë, të cilat synojnë përfundimin e luftës trevjeçare në Ukrainë.
Ndërkohë, shtetet anëtare të NATO-s, veçanërisht ato në krahun lindor, janë të shqetësuara se një marrëveshje mund të favorizojë Rusinë, duke i dhënë kohë presidentit Vladimir Putin të rimëkëmbë forcat e tij ushtarake dhe të kërcënojë sërish rajonin në të ardhmen.
“Nëse dikush do të sulmonte Poloninë apo një aleat tjetër, reagimi ynë do të ishte i ashpër dhe shkatërrues. Kjo duhet të jetë e qartë për Vladimir Putinin apo këdo tjetër që do të tentonte një agresion të tillë”, deklaroi Rutte.