Shtetet e Bashkuara hapën zyrtarisht muajin e kaluar një bazë të përhershme ushtarake në Poloni, pjesë e sistemit të mbrojtjes nga raketat të NATO-s, mes tensioneve në rritje me Rusinë. Ministri polak i mbrojtjes thotë se baza është gjithashtu një dëshmi e bashkëpunimit polako-amerikan.
Një bazë e re ushtarake e SHBA-së në Poloninë Veriore po bëhet një pjesë kyçe e sistemit të NATO-s për mbrojtjen nga raketat, i njohur si Aegis Ashore. E vendosur në Redzikowo pranë Detit Baltik dhe pranë rajonit të Kaliningradit të Rusisë, baza është e pajisur me tre paisje, secila e aftë të mbajë tetë raketa interceptuese.
Ajo është krijuar për të mbrojtur aleancën e NATO-s dhe Evropën nga kërcënimet e mundshme me raketa balistike. Kapiteni Michael Dwan, komandant i Task Forcës SIX FOUR të Marinës së SHBA, që fokusohet tek misionet e mbrojtjes nga raketat, shpjegon se raketahedhësit funksionojnë në mënyrë autonome, pa pasur nevojë për ndërhyrje manuale.
“Pasi diktohet një kërcënim, sistemi ynë e automatizon reagimin duke zgjedhur një nga raketat e disponueshme në cilindo nga tre raketahedhësit tanë për të përballuar atë kërcënim.”
Baza, së bashku me një objekt të ngjashëm në Rumani, destrojerët e marinës amerikane të stacionuar në portin spanjoll Rota dhe një radar i paralajmërimit të hershëm në Turqi, përbën një pjesë jetike të mbrojtjes nga raketat të NATO-s Aegis Ashore në Evropë, projektuar për t’u bërë ballë kërcënimeve të raketave balistike me rreze të mesme veprimi.
Sistemi e demonstroi kohët e fundit efektivitetin e tij në mbrojtjen e Izraelit, thotë komandanti i Aegis Ashore në Poloni, Matthew Plant. “Sistemi Aegis dhe misioni i mbrojtjes nga raketat balistike u testuan në Detin Mesdhe në mbrojtje të Izraelit. Pra, ato sisteme e kaluan provën. Ishte një goditje iraniane kundër Izraelit”, – thotë ai.
Në një qendër komandimi dhe kontrolli, personeli ushtarak amerikan monitoron gjatë gjithë kohës për çdo kërcënim të mundshëm. Misioni i tyre është të diktojnë dhe t’u përgjigjen sulmeve me raketa, duke përdorur të dhënat e radarit për të orientuar interceptorët për neutralizimin e raketave.
Zyrtarët theksojnë se baza është vetëm për mbrojtje. “Nuk ka asnjë eksploziv apo mbushje për goditje në asnjë prej raketave tona këtu”, – thotë Kapiteni Michael Dwan. Kremlini reagoi ndaj hapjes së bazës amerikane në Redzikowo, duke thënë se Rusia do të merrte “masat e duhura për të siguruar të njëjtin nivel gatishmërie”.
Për Poloninë, një anëtar kyç i NATO-s në kufi me Rusinë, Bjellorusinë dhe Ukrainën, baza është një pjesë jetike e strategjisë së saj të mbrojtjes. Ministri polak i Mbrojtjes Wladysław Kosiniak-Kamysz e quan bazën një moment historik për parandalimin dhe mbrojtjen.
“Baza e Redzikowos nuk mund të evakuohet brenda disa orësh. Kjo mbron Evropën, por edhe SHBA-në dhe Kanadanë, të gjithë aleatët e NATO-s. Është një nga projektet kyçe dhe kundërshtimi i fortë i Rusisë, tregon se sa projekt i rëndësishëm është.”
Baza menaxhohet nën Komandën Ajrore të Aleatëve të NATO-s në Bazën Ajrore Ramstein në Gjermani, e cila mbikëqyr komandën dhe kontrollin e sistemeve të mbrojtjes së bllokut nga raketat balistike. /VOA