Për eksploruesit e natyrës dhe aventurierët por edhe për ata që kërkojnë një arratisje buzë detit dhe ajrit të pastër të pyllit me pisha, Sektor Rinia është destinacioni i kërkuar. 

Ndryshe nga Durrësi i tejmbushur me ndërtime, këtu, vetëm 17 km larg qytetit, duket sikur koha ka ndalur për ta lejuar natyrën të lulëzojë.

Rruga e ngushtë dhe e pashtruar që lidh zonën rurale me bregdetin nuk bëhet aspak pengesë për frekuentimin masiv të hapësirës ranore dhe lokaleve e restoranteve buzë detit.

Tarifat e shezlloneve nisin nga 800 lekë, por këtu më shumë sesa në çdo plazh tjetër të Durrësit gjen hapësira publike me shumicë. 

Relievi i shtrirë, por mjaft i larmishëm krijon mundësi perfekte për eksplorimin e natyrës.

Një xhiro me kalë është sidomos e preferuar nga të huajt, të cilët natyra e virgjër i mahnit dhe i intrigon.

“I çojmë gjithandej, pasi punëdhënësi im ka kamion dhe i dërgojmë kuajt ku të dëshirojnë klientët. Më shumë bëjmë itinerarin Fllakë-Sektor Rinia. Sot kemi 3 vajza nga Holanda, por kemi pasur klientë francezë, gjermanë, italianë, zvicerianë, austriakë”,- na rrëfen italiani Vittorio Dorra, që shërben si guidë për të huajt.

“Është një vend shumë i bukur, shumë ndryshe nga Holanda. Kemi bërë plazh, kemi qenë në mal, sot po bëjmë xhiro me kuaj, sepse i dashurojmë kuajt”.

“E dashuroj këtë eksperiencë, po kaloj shumë mirë. Natyra dhe gjithçka tjetër është shumë e bukur. I adhuroj kuajt, prandaj kjo xhiro është gjëja perfekte”,- na thanë dy turiste nga Holanda, që prej 7 ditësh po qëndronin në Durrës.    

Laguna që shtrihet në të dy anët e rrugës, që të çon në det ofron larmishmëri flore dhe faune.

Vendasit peshkojnë rregullisht në lagunë, e cila është “shtëpia” e shumë shpendëve si pulëbardhave, lejlekëve etj.

Pasuria më e madhe e Sektorit Rinia është mushkëria e tij e gjelbërt, pylli i halorëve.

Ky park i madh natyror, që shtrihet në rreth 116 hektarë, është perfekt për të organizuar piknikë, në freskinë e pishave shtatlarta, pasi keni shijuar për disa orë bregdetin e kësaj zone.

M.B.